Kandidati për deputetet Bajram Hasani nga koalicioni PDK-AAK-NISMA në emisionin “Monitor” të televizionit publik ka thënë se në qeverisjen e këtij koalicioni do të përmirësohet jeta e qytetarit të Kosovës.
Hasani ka thënë NISMA ka paraparë një zbatimin e një pakete sociale e cila sipas tij në bashkëpunim me partnerët e koalicionit do të realizohet. Hasani është shprehur se sipas statistikave në Kosovë janë 25 mijë familje të cilat nuk kanë asnjë të punësuar dhe sipas tij pas fitores së 11 qershorit, do të realizohet ky premtim që çdo familje të ketë një të punësuar, transmeton Gazeta Monitor.
“Nisma ka një platformë të qartë se çka i duhet qytetarit të Kosovës. Ne jemi fokusuar në pesë pika, punësimi i nga një anëtari të familjes prej secilës prej 25 mijë familjeve që nuk kanë asnjë të punësuar.”, ka thënë ai.
Sipas, Hasanit gjithashtu parashihet edhe investimi i mbi 400 milion eurove në bujqësi.
Kandidati Hasani është shprehur se në qeverisjen e ardhshme parashihet që qytetarët të kenë mundësi të vetëpunësimit.
“Ka shumë qytetarë të cilët kanë ide shumë të mira për zhvillimin e një biznesi por nuk kanë mundësi financiare. Ne do të krijojmë një fond që do tu mundësojë këtyre njerëzve që të shfrytëzojnë këtë fond dhe të zhvillojnë idenë e tyre por duke u mbikëqyrur nga shteti”, ka thënë Hasani.
Hasani është shprehur se gjithashtu vendit i nevojiten reforma në arsim dhe shëndetësi.