Anëtari i Kryesisë së Nismës për Kosovën, Bajram Hasani, me rastin e 35-vjetorit të vrasjes së Kadri Zekës dhe vëllezërve Gërvalla, ka kritikuar qeverisjen në Gjilan që ende nuk ia ka ngritur një shtatore Kadri Zekës.
“Kadri Zeka meriton që ta ketë një shtatore në qendër të Gjilan. Andaj i bëj thirrje Kuvendit Komunal, kryetarit të Komunës dhe të gjithë qytetarëve që të punojmë dhe ta nderojmë Kadri Zekën ashtu siç e meriton, ashtu siç e nderoi rajonin tonë dhe gjithë Kosovën”, ka thënë Bajram Hasani, i cili është edhe kryetar i degës së Nismës në Gjilan.
“Sot bëhen 35 vjet nga vrasja e Kadri Zekës dhe vëllezërve Gërvalla nga regjimi ish-jugosllav. Kadri Zeka dhe vëllezërit Gërvalla ishin intelektual që me punën e tyre, vizionin politik, dashurinë ndaj atdheut arritën ta organizojnë dhe unifikojnë diasporën shqiptare për të nisur lëvizjes kombëtare për lirinë e Kosovës.
Kadri Zeka me bashkëveprimtarët e tij u vranë në një natë të ftohtë janari, por emri dhe vepra e tyre nuk do të vdesë kurrë, sepse ata u shndërruan në prijës shpirtërorë të kauzës për lirinë e Kosovës dhe i hapën rrugë lirisë dhe pavarësisë së këtij vendi. Por, si i nderojmë dhe kujtojmë ne sot. A thua mjafton që vetëm më një manifestim të përvitshëm ta nderojmë veprën e të madhit Kadri Zeka.
Jo! Konsideroj se është e turpshme që komuna e Gjilanit dhe Anamorava në përgjithësi nuk i ka ngritur një shtatore atdhetarit të madh të rajonit tonë Kadri Zeka. Kadri Zeka meriton që ta ketë një shtatore në qendër të Gjilan. Andaj i bëj thirrje Kuvendit Komunal, kryetarit të Komunës dhe të gjithë qytetarëve që të punojmë dhe ta nderojmë Kadri Zekën ashtu siç e meriton, ashtu siç e nderoi rajonin tonë dhe gjithë Kosovën. Kadri Zeka do të mbetet gjithmonë njëra prej figurave më të ndritura që ka dhënë ky rajon”, ka shkruar Hasani në llogarinë e vet në “Facebook”.