Ministria e Tregtisë dhe Komuna e Vushtrrisë kanë nënshkruar marrëveshjen për Zonën Ekonomike.
Marrëveshja u lidh në Vushtrri nga ministri Bajram Hasani dhe kryetari Xhafer Tahiri.
Ministri i Tregtisë dhe Industrisë, Bajram Hasani në fillim e uroi kryetarin Tahiri për objektin e ri të komunës në të cilin janë vendosur ditën e sotme.
“Nënshkruam kontratën për fillimin e investimeve në parkun në Vushtrri, besojmë që është ditë e madhe për këtë komunë, sepse do ketë punësime të reja, mundësi për biznese dhe ky është prioritet i qeverisë dhe MTI-së që të krijohen zona ekonomike, të kenë mundësi dhe kushte për biznese të jenë konkurrente dhe t’i jepen bizneseve dhe investitorëve nga jashtë mundësi për investim”, tha Hasani.
“Po mundohemi që MTI të merr përsipër obligimet apo mbështetjen financiare që kjo do të sjellë fitime rreth 1.5 mulionë euro dhe do të varet nga projekti i detajuar që më bazë të saj ne i siguruam kryetarit Tahiri, që do ta mbështesim, edhe nëse ka kosto më të madhe që të realizohet kjo zonë ekonomike, që pritet të realizohet në 3 vjetët e ardhshëm”, tha ai.
Kryetari i Komunës së Vushtrrisë, Xhafer Tahiri, tha se kjo ditë është e shënuar për Komunën e Vushtrrisë
“Kemi në shkruar marrëveshjen për zonën ekonomike që ka 14.8 hektarë, që do të jetë në funksion të bizneseve dhe krijimit të vendeve të punës në Vushtrri, në 50 vjetët e fundit në këtë komunë, ky është investimi më i madh që është bërë”, tha Tahiri.
“Do të fillojnë investimet dhe do të ketë impakt më të madh për krijimin e vendeve të punës”, tha Tahiri.