Lidershipi i Prizrenit ka akuzuar Prokurorinë Themelore se me veprimet e fundit në raport me QT “ABI Çarshia” është vënë në mbrojtje të paligjshmërisë.
Kryetari Mytaher Haskuka ka pohuar se kjo qendër tregtare është hapur pa leje të domosdoshme për pranim teknik, për të cilën gjë, sipas tij, kanë intervenuar inspektorët e Komunës me vendosjen e shiritave për ndalimin e punimeve, por që pastaj janë hequr me miratimin e zyrtarëve të Prokurorisë.
Lidhur me këtë rast Haskuka ka theksuar se një nga pengesat kryesore për zhvillim ekonomik janë korrupsioni dhe moszbatimi i rendit dhe ligjit.
“Moszbatimi i ligjit gjatë investimeve është formë e korrupsionit dhe në kohë afatgjate pengon zhvillimin ekonomik të qëndrueshëm. Tek investimet në ndërtimtari, qoftë banesore apo afariste, në aspektin e zbatimit të rregullave ligjore njëra ndër pikat kryesore është pranimi teknik (certifikata e përdorimit), sepse pranimi teknik tregon që objekti është bërë sipas rregullave dhe standardeve të parapara me ligj dhe nuk paraqet rrezik publik”, ka thënë Haskuka.
Ai ka shtuar se Komuna e Prizrenit bazuar në ligjet në fuqi kërkon që të gjitha objektet që funksionalizohen të kenë pranimin teknik.
Në fund të muajit gusht të këtij viti Inspektorati i Prizrenit pati kundërshtuar vendimin e MMPH-së për lëndën “ABI Çarshia”.
Ky organ komunal pati bërë të ditur se kjo nuk është hera e parë që niveli qendror interferon në këtë mënyrë, duke u mundësuar palëve që të vazhdojnë aktivitetet ndërtimore në kundërshtim me ligjin. Për këtë arsye u kanë bërë thirrje organeve të drejtësisë që të fillojnë hetimet ndaj Zyrës ligjore në MMPH