Kryetari i Prizrenit, Mytaher Haskuka ka reaguar pas deklaratës së zëvendëskryeministres, Albulena Balaj-Halimaj e cila tha se në këtë komunë që nga udhëheqja e LVV-së migrimi është rritur për 400 për qind, përcjell Ekonomia Online.
Haskuka përmes një reagimi në Facebook ka shkruar se sipas raportit të Agjencisë së Statistikave, një numër i madh i njerëzve kanë migruar nga tërë territori i Kosovës, duke theksuar se për këtë ka përgjegjësi edhe Balaj-Halimaj e cila ka qenë në tri vitet e fundit në Qeveri.
“Sipas Agjencisë së Statistikave, gjatë vitit 2019 nga Kosova kanë emigruar 28,845 persona, nga popullsia 1,795,666, pra 1,6% e popullatës. Sipas raportit, Prizreni ka 192,712 banorë, ndërkaq kanë emigruar 1,208 banorë, pra 0,6%”, shkruan Haskuka në profilin e tij zyrtar.
“Emigrimi nga Kosova është 3 herë më i lartë se nga Prizreni. Prandaj, zëvendës-kryeministrja, partia e së cilës në 3 vitet e fundit gjithmonë ka qenë në qeverisje (pos 100 ditëshit të Albinit), është mirë t’i hedh diplomat, e t’i bëjë pyetje vetes se pse po ikin qytetarët?!”, ka shkruar Haskuka.
“Për matematikë e statistikë elementare, ndoshta kjo është arsyeja pse ju duhet rinumërimi për kalkulim të pragut”, ka ironizur i pari i Prizrenit me Balaj-Halimaj.