Havolli: Mbi 300 milionë euro shtohet vlera e kontribuuesve pensionalë 

Prishtinë | 23 Gus 2016 | 15:22 | Nga

Kryesuesi i Bordit të Trustit të Kursimeve Pensionale Ymer Havolli, ka bërë me dije se shuma e mjeteve që Fondi i Kursimeve Pensionale të Kosovës (FKPK) i ka në menaxhim është 1.37 miliard euro.

Sipas tij, prej themelimit të FKPK-së e deri më 16 gusht 2016 kthimi bruto nga investimet është rreth 304 milionë euro.

“Përmbi 300 milionë euro është shtuar vlera e mjeteve të kontribuuesve pensionalë nga investimi i tyre në tregjet financiare”, ka thënë Havolli në këtë intervistë për gazetën “Epoka e re”.

Ai ka thënë se nga investimi i mjeteve të FKPK-së, parave të Trustit ka vazhduar t’u rritet vlera edhe më tej.

“Për vitin 2015 kthimi bruto nga investimet ishte rreth 30 milionë euro, ndërsa për gjashtëmujorin e parë të vitit 2016 kthimi bruto nga investimet është rreth 33 milionë euro. Rol në këtë performancë nga investimet është duke luajtur strategjia investuese që po e ndjekim, duke na ofruar mbrojtje më të mirë nga luhatjet e tregjeve, njëkohësisht ngritje tejet të kënaqshme gjatë periudhës ngritëse”, ka deklaruar Havolli.

Në këtë intervistë Havolli ka folur edhe për mundësinë e kthimit në investime të fondeve të cilat i ka Trusti. Ai ka thënë se në bazë të rregullatives ligjore momentalisht nuk lejohen investimet kapitale me paratë e Trustit.

“Edhe siguria e mjeteve të investuara përcaktohet me ligj nëpërmjet kufizimeve të investimeve në instrumente financiare sipas rejtingut përkatës. Vetë fakti se nga investimi i deritashëm i mjeteve të FKPK-së vlera e tyre është rritur përmbi 300 milionë euro. Ky besoj është tregues i nivelit të sigurisë së mjaftueshme të formës aktuale të investimeve. Duhet kuptuar se investimi i mjeteve të FKPK-së është domosdoshmëri, ndërsa investimi i më shumë mjeteve në Kosovë është proces që kërkon ngritje të kapaciteteve investuese në vend. Pa pasur mundësi ku dhe si të investohen në Kosovë ato mjete atëherë nuk kanë se si të kthehen, pasi Kuvendi ka rënë dakord që ato mjete nuk mund të mbahen të painvestuara”, ka deklaruar Havolli, duke shtuar se aktualisht është e pamundur që ligjërisht FKPK-ja të investojë në Brezovicë.

Z. Havolli, sa është shuma e mjeteve të cilat i menaxhon Trusti i Kursimeve Pensionale?

Havolli: Deri më 16 gusht shuma e mjeteve që FKPK-ja i ka në menaxhim është 1.37 miliard euro.

Në cilat shtete gjenden këto mjete?

Havolli: Në Raportin Vjetor 2015 ne kemi publikuar shpërndarjen gjeografike të investimeve të FKPK-së sipas shteteve. Në vijim është tabela me 10 vendet me përqendrimin më të lartë të mjeteve të investuara. Në atë periudhë mjetet e investuara ishin 1.18 miliard euro. Pra, në ShBA 44.04%, Mbretërinë e Bashkuar 10.70 %, Kosovë 8.10 %, Francë 4.76 %, Japoni 4.72 %, Gjermani 3.95 %, Kanada 3.19 për qind, Zvicër 2.73 %, Austri 2.61 % dhe Holandë 2.54 %.

Bazuar në rrethanat në berzën ndërkombëtare, a ka pasur ngritje të normës së interesit në paratë e Trustit të Kosovës?

Havolli: Nga investimi i mjeteve të FKPK-së ka vazhduar t’u rritet vlera edhe më tej edhe gjatë këtij viti. Për vitin 2015 kthimi bruto nga investimet ishte rreth 30 milionë euro, ndërsa për gjashtëmujorin e parë të vitit 2016 kthimi bruto nga investimet është rreth 33 milionë euro. Rol në këtë performancë nga investimet është duke luajtur strategjia investuese që po e ndjekim, duke na ofruar mbrojtje më të mirë nga luhatjet e tregjeve, njëkohësisht ngritje tejet të kënaqshme gjatë periudhës ngritëse. Për informim, prej themelimit të FKPK-së e deri më 16 gusht 2016, kthimi bruto nga investimet është rreth 304 milionë euro. Pra, përmbi 300 milionë euro është shtuar vlera e mjeteve të kontribuuesve pensionalë nga investimi i tyre në tregjet financiare.

A ka pasur kërkesa nga institucionet e Kosovës, që fondi i Trustit të kthehet në Kosovë?

Havolli: Administrimi dhe menaxhimi i FKPK-së nuk bazohet në kërkesa ose vendime të veçanta, por në Ligjin për Fondet Pensionale nr. 04/L-101. Aty përcaktohet korniza e investimeve të mjeteve të FKPK-së së bashku me parimet investuese. Bordi drejtues, që emërohet nga Kuvendi i Kosovës, i merr vendimet investuese bazuar pikërisht në këtë ligj. Dhe nisur nga kufijtë e vendosur në të, aktualisht ne jemi duke investuar maksimumin e mundshëm ligjor të kapaciteteve investuese që ofron Kosova.

Çfarë mendoni ju, a duhet kthyer këto mjete për investim në Kosovë, apo është më sigurt të qëndrojnë jashtë shtetit të Kosovës?

Havolli: Edhe siguria e mjeteve të investuara përcaktohet me ligj nëpërmjet kufizimeve të investimeve në instrumente financiare sipas rejtingut përkatës. Vetë fakti se nga investimi i deritashëm i mjeteve të FKPK-së vlera e tyre është rritur përmbi 300 milionë euro, besoj se është tregues i nivelit të sigurisë së mjaftueshme të formës aktuale të investimeve. Duhet kuptuar se investimi i mjeteve të FKPK-së është domosdoshmëri, ndërsa investimi i më shumë mjeteve në Kosovë është proces që kërkon ngritje të kapaciteteve investuese në vend. Pa pasur mundësi ku dhe si të investohen në Kosovë, ato nuk kanë se si të kthehen, pasi Kuvendi ka rënë dakord që ato mjete nuk mund të mbahen të pa investuara.

Po ashtu, ka mendime se këto mjete është dashur të futen në procesin e privatizimit të Brezovicës?

Havolli: Gjithsesi dëshirat, në njërën anë dhe mundësitë ligjore dhe kapacitetet investuese, në anën tjetër, ndryshojnë shumë. Aktualisht është e pamundur ligjërisht që FKPK-ja të investojë në Brezovicë.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme