FMN-ja kundër tërheqjes së 10-përqindëshit nga Trusti

Prishtinë | 09 Tet 2020 | 13:43 | Nga Ekonomia Online

Fondi Monetar Ndërkombëtar nuk e ka përkrahur idenë e Qeverisë së Kosovës për tërheqjen e 10 përqindshit të mjeteve nga Fondi i Kursimeve pensionale.

Kjo pasi sipas këtij institucioni, do të ndikonte në zvogëlimin e pensioneve të ardhshme dhe do të kufizonte madhësinë e tregut të brendshëm të kapitalit.

“Tërheqja e propozuar e 10 për qind të kursimeve pensionale nga Trusti i Kursimeve Pensionale të Kosovës (TKPK) minon Shtyllën 2, zvogëlon pensionet e ardhshme dhe kufizon madhësinë e tregut të brendshëm të kapitalit, që ka qenë burim esencial i financimit të buxhetit”, thuhet në deklaratën përmbyllëse e Misionit të Artikullit IV për vitin 2020 FMN.

Qeveria Hoti ka paraparë tërheqjen e 10 për qind të mjeteve nga Trusti. Këtë e ka futur edhe në Projektligjin për Rimëkëmbjen Ekonomike, i cili ka dështuar gjashtë herë deri më tash të votohet në Kuvend.

Në deklaratë thuhet se duhet rifokusim të shpenzimeve sociale dhe transfereve aktuale.

“Për më tepër, duhet zbatuar reformat për rifokusimin e shpenzimeve sociale për të mbrojtur personat më të cenueshëm. Duhet të shmanget krijimi i përfitimeve pensionale shtesë, mbi skemat ekzistuese, pa një analizë të qëndrueshmërisë aktuariale të përfitimeve ekzistuese”, thuhet në këtë deklaratë.

Për çështjen e përfitimeve pensionale, FMN-ja i është referuar dyfishimit të asistencës sociale.

Ndërkohë FMN-ja parasheh rënie ekonomike prej 7.5 për qind në 2020. Sipas saj, pasiguria mbi parashikimin bazë është e madhe dhe rreziku i një rezultati më negativ se që parashikohet është i konsiderueshëm.

“Kjo pasqyron një kombinim faktorësh të shëndetit publik dhe atyre ekonomikë që janë të vështirë për tu parashikuar. Rritja e jashtme e dobët dhe kufizimet më të gjata të udhëtimit ndërkombëtar mund ta zmadhojnë këtë goditje. Brenda vendit, mbylljet më të gjata mund ta dëmtojnë kërkesën dhe besimin”, thuhet aty.

Sipas FMN-së, ndarjet politike mund ta komplikojë zbatimin e masave zbutëse dhe të rimëkëmbjes.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme