Shaip Havolli, drejtor i Agjencisë Kundër Korrupsionit nuk është i kënaqur me dënimet e shqiptuara për korrupsion të nivelit të lartë.
Havolli në një intervistë për Ekonomia Online, thotë se shqiptimi i dënimeve të ulëta ose edhe lirimi i tyre janë sinjal negativ karshi zhvillimeve dhe integrimit të Kosovës në arenën ndërkombëtare.
“Nuk jemi të kënaqur me dënime, këto quhen sinjale negative karshi zhvillimeve dhe integrimeve të Kosovës në arenën ndërkombëtare. Shumë raporte kohëve të fundit edhe shumë ambasador e në veçanti ai amerikan ka dhënë vërejtje në fushën e zbatimit të ligjit”.
“Për fat të keq ka raste të nivelit të lartë që kanë të ngritura aktakuzë, i kemi në institucionet shtetërore, në nivele të larta të cilët kanë aktakuza”.
Havolli ka ftuar institucionet e drejtësisë që të mosfrikësohen që të hetojnë e gjykojnë edhe personat e profilit të lartë. Sipas tij, zbatimi i ligjeve dhe ndëshkimi i atyre që kanë kryer krime nuk duhet që t’i frikësojë prokurorët e gjyqtarët.
“Institucionet e drejtësisë duhet që të forcohen dhe ta kenë parasysh gjithë këto zhvillime të përgjithshme dhe nuk ka nevojë të frikohen absolut, por vetëm ta zbatojnë ligjin ashtu siç është i paraparë dhe të sjellin dënime ashtu siç janë paraparë nga kodet dhe procedura penale, nuk kemi nevojë të frikohemi”.
Ai tha se veç vitin e kaluar kanë dërguar mbi 105 raste vetëm në prokurori, por edhe për këtë vit Agjencia ka dërguar disa kallëzime penale, në fushën e konflikt interesit, deklarimit të pasurisë dhe të shpërdorimit të detyrës zyrtare.
“Vitin e kaluar kemi dërguar mbi 105 raste vetëm në prokurori me kallëzim penal, ka të bëj në shkelje të deklarimit të pasurisë, konflikti interesi dhe keqpërdorimi i detyrës zyrtare. Nga këto 3 fusha kemi dërguar kallëzime penale, në shumicën prej tyre prokuroria ka kthyer informata kthyese, ka raste kur është ngritur aktakuzë dhe gjykata ka sjellë aktgjykime të formës së prerë”.
“Janë disa raste edhe që janë hedh poshtë kallëzimet penale, por në shumicën e rasteve ka gjykime dënuese edhe pse ne si Agjenci nuk jemi të kënaqur me dënimet që janë sjellë nga ana e gjykatës, por ato janë vendime të gjykatës që ne nuk mundemi të i komentojmë, gjykata është e pavarur, por kanë filluar një përdorim pak më i mirë si nga ana e prokurorisë, policisë dhe gjykatave, por ne asnjëherë nuk jemi të kënaqur si organ që kemi ushtruar kallëzime penale”, tha ai.
Edhe pse thotë se nuk mungojnë ligjet e mirëfillta, sipas tij, mungon vullneti për t’i zbatuar në praktikë. Ngase siç thotë ai korrupsioni nuk luftohet me fjalë, por me veprime konkrete.
“Kosova qëndron mirë sa i përket aspektit legjislativ veç duhet një vullnet i joni i përgjithshëm atyre që e zbatojnë ligjin dhe është i mirëseardhur një vullnet politik që një vullnet i tillë deri tash është duke munguar, tashmë është deklarativ, sepse korrupsioni nuk luftohet me fjalë, por me përkrahje konkrete por fundja jemi këtu institucionet e zbatimit të ligjit ato duhet të jenë më vendimmarrëse dhe të i qojnë proceset përpara sidomos prokuroria dhe gjykatat”.
Me ndryshimet në ligjin për këtë institucion pritet që të shtohen edhe disa kompetenca që nuk janë ekzekutive, por vetëm administrative.
“Në të ardhmen pritet që agjencia t’i marrë edhe disa kompetenca shtesë në fushën e deklarimit të pasurisë. Fjala është për kompetenca administrative, jo ekzekutive, por do të kem fuqi shtesë. Agjencia ka kërkuar që të ketë kompetenca rreth gjurmimit të pasurisë të zyrtarëve të lartë. Jemi duke punuar në këtë drejtim, po ashtu sipas qëndrimeve të grupit punues pritet të zgjerohet edhe baza deklaruese e subjektit deklarues”, tha Havolli.
“Nëse aprovohet një gjë e tillë në këtë grup punues do të zgjedhoret edhe baza deklaruese, do të deklarohen edhe më shumë zyrtarë të tjerë publik, të gjithë ata që janë të ekspozuar në raport me korrupsionin. Po ashtu me Ligji për Agjencinë do te ketë kompetenca shtesë në fushën e kodeve të etikës në fushën e edukimit në plane dhe hartimin e planeve të integritetit në korrigjimin e legjislacionit”, tha ai.
Havolli njoftoi se janë duke u bërë përgatitjet e fundit e deklarimit online të bëhet në fund të këtij muaji të bëhet publik deklarimi për 2018.
Ai tha se zyrtarët e lartë tani janë vetëdijesuar në aspektin e konflikt interesit që të mos bëjnë shkelje në rastin e punësimeve, emërimeve dhe punët tjera që kanë angazhime ata në pozicione përkatëse.