Pas aksioneve të policisë në Shtërpcë, serbët dalin në protesta

Prishtinë | 24 Dhj 2021 | 19:08 | Nga Ekonomia Online

Disa serbë kanë protestuar sot në Shtërpcë kundër, siç kanë thënë ata, mënyrës se si u arrestuan bashkëqytetarët e tyre së fundmi nga Policia e Kosovës, e cila ndërmori këtë aksion me dyshimin për korrupsion në disa ndërtime në Brezovicë.

Në protestë sot iu drejtua edhe kryetari aktual i komunës së Shtërpcës, Dalibor Jevtiq, i cili tha se ajo që ndodhi dy ditë më parë dhe mënyra e arrestimit të të dyshuarve “është mesazh shumë i keq dhe se ka bezdisur familjet e të arrestuarve, por gjithashtu të gjithë ata që jetojnë atje”.

Ai tha se grumbullimi i tyre sot është mesazh se duan që të jetojnë në mënyrë paqësore dhe se ata që po e bëjnë këtë “do të ndalojnë së bëri”.

Jevtiq iu ka thënë familjarëve të të arrestuarve se kanë të gjithë mbështetjen e komunës, raporton Kosovo Online.

Por, të kundërtën e thanë disa bashkëvendas të të arrestuarve për Klan Kosovën ditën kur ndodhën arrestimin.

Madje, njëri prej tyre nga ta kur e kuptoi se kush janë të arrestuarit, në mesin e të cilëve ishte edhe ish-kryetari Bratislav Nikoliq, nisi kremten.

“Kam dëgjuar çka ka ndodhur dhe kam dalë që ta festojë arrestimin e atyre kriminelëve. Ishte koha e fundit që kriminelët të përfundojnë në burg, sepse i kanë tradhtuar interesat e serbëve në këtë vend dhe shkatërruan ekonominë. E kanë shkatërruar secilën shpresë për mbijetesën e serbëve në këtë vend”, pati thënë Radojko Keciq.

Kujtojmë se përgjatë së martës u arrestua edhe ish-kryetari i komunës së Shtërpcës, drejtori i Urbanizmit dhe disa zyrtar të tjerë dhe pronarë të firmave.

“Lidhur me këtë aksion deri më tani me urdhër të Prokurorit të Shtetit, janë arrestuar dhjetë (10) persona të dyshuar, në mesin e tyre edhe ish kryetari i komunës së Shtërpcës, drejtori i Urbanizmit, disa zyrtar të tjerë dhe pronar të firmave, për shkak të dyshimit të veprave penale “Marrja e ryshfetit”, “Dhënia e ryshfetit” dhe “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar” të Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK)”, ka njoftuar Prokuroria. 

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme