Analisti Baton Haxhiu e cilësoi vendimin e kryeministrit Albin Kurti për vendosjen e reciprocitetit të targave me Serbinë diçka që shkon përtej fuqisë së shtetit të Kosovës dhe atij vetë për ta përballuar. Kurti sipas tij, me këtë vendim ka punuar kundër vetes
“Halli është tek fuqia e shtetit të Kosovës dhe Albin Kurtit. Nëse kryeministri ka llogaritur se në çfarëdo përplasje me Serbinë dhe Veriun njësia jonë speciale është e pafuqishme ta ruajë krenarinë e vet dhe shtetit tonë atëherë fatkeqësisht Albin Kurti ka punuar kundër vetes”, tha analisti Haxhiu.
Për analistin Andi Bushati në këtë rast edhe humbja hipotetike e nxjerr të fituar Albin Kurtin. Sipas tij, teoria që duhet lënë Serbia të bëjë ç’të dojë që Kosova të mos dalë si e dobët ka bërë që Serbia vetëm të fitojë privilegje.
“Nëse qeveria e Kosovës nuk ka fuqi të tregojë dhëmbët duket si humbje për Kosovë, por logjika e kundërt është ajo që kemi parë; ta lëmë Serbinë të bëjë ç’të dojë nga frika mos dalim të dobët, ndërkohë që Serbia ka fituar. Në këtë rast edhe humbja hipotetike e nxjerr të fituar Kurtin. Duke bërë vogëlushin e evropianeve dhe kokulur me serbët Kosova vetëm ka bërë hapa prapa dhe ka humbur”, tha Bushati.