Ministrja Haxhiu priti në takim Guvernatorin e Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës
Ministrja e Drejtësisë Albulena Haxhiu së bashku me shefin e kabinetit dhe këshilltarin e Ministrisë Genc Nimoni pritën Guvernatorin e Bankës Qendrore, Fehmi Mehmetin si dhe shefin e kabinetit Nexhat Miftarin.
Përfaqësimi i Republikës së Kosovës në Arbitrazh ishte temë qendrore e këtij takimi, me ç’rast u diskutua rreth bashkëpunimit për përfaqësim sa më dinjitoz në këtë institucion.
Guvernatori Mehmeti, e vlerësoi të rëndësishëm koordinimin ndërinstitucional dhe njëherit ofroi bashkëpunimin për përfaqësimin sa më profesional në Arbitrazh.
Ministrja Albulena Haxhiu shprehi vullnetin dhe gatishmërinë e plotë për të ofruar bashkëpunim brenda kompetencave në synim të rezultatit sa më të mirë në këtë përfaqësim.
Guvernatori Mehmeti theksoi edhe rëndësinë e rregullores për përcaktimin e kritereve për vlerësimin e dëmeve jo-materiale si dhe vështirësitë e bashkëpunimit me institucionet kryesore të drejtësisë.
Në këtë takim është diskutuar edhe për rëndësinë e themelimit të Gjykatës Komerciale duke adresuar çështjen e përzgjedhjes së ekspertëve financiar dhe profesionalizmit të tyre.
Të dy palët u dakorduan për thellim të bashkëpunimit për të mundësuar dhe rritur sukseset përballë aspiratave për të forcuar në këtë mënyrë institucionet respektive të Republikës së Kosovës.