Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, i është kundërpërgjigjur shefit të grupit parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri, i cil isot ka pyetur se pse partia në pushtet po hesht për mostrat e rastit Dehari, të cilat u gjetën javën e kaluar.
Haxhiu, përmes një shkrimi në Facebook, e ka quajtur Tahirin “ish-ministër shurdhues”, duke thënë se po “adreson shpifje”.
“Ish ministri më shurdhues, Abelard Tahiri paska adresuar publikisht shpifje të cilat nuk janë për t’u injoruar, por të cilat kërkojnë reagimin e institucioneve përkatëse të drejtësisë”, shkroi Haxhiu.
Ajo thotë se qysh më 7 dhjetor 2022 i ka njoftuar institucionet e drejtësisë për zhdukjen e mostrave të Astrit Deharit.
Në një postim në Facebook, deputeti i PDK-së ka shtruar edhe disa pyetje të tjera, lidhur me atë se kush i vodhi këto mostra, e ku qëndruan ato për një vit e gjysmë.
Tutje ai ka pyetur se a ka pasur ndërhyrje në mostra në kohën sa ato ishin jashtë Institutit, derisa tutje ka shkruar se kush i ka kthyer ato tani.
Postimi i Haxhiut në Facebook:
Ish ministri me shurdhues, Abelard Tahiri paska adresuar publikisht shpifje të cilat nuk janë për t’u injoruar, por të cilat kërkojnë reagimin e institucioneve përkatëse të drejtësisë.
Si Ministre e Drejtësisë, kam për obligim të demantojë shpifjet e trilluara, ndërsa të njëjtit le t’i mbetet për tu sqaruar më tej në organet kompetente, me shpresën që pas këtyre deklaratave do të ftohet si dëshmitar.
Për zhdukjen e mostrave të Astrit Deharit, i kam njoftuar institucionet e drejtësisë në orët e mbrëmjes së 7 dhjetorit të vitit 2022, ndërsa opinionin publik përmes konferencës për medie më 8 dhjetor 2022. Për të gjitha këto ekzistojnë dëshmitë.
Aludimi i tij në Konferencën e djeshme për media, se Kryeministri dhe Kryetari i Kuvendit kanë qenë në njohuri për zhdukjen e mostrave të rastit Dehari, që në pranverën e vitit 2022, zgjon dyshimet e bazuara se mbase z.Tahiri ka qenë i informuar që prej asaj kohe.
Përse Abelardi e përmend pranverën e vitit 2022? Me çfarë saktësisht e ka ndërlidhur ai këtë? A ka qenë ai i informuar apo edhe i përfshirë në atë mision të zhdukjeve të mostrave?
Të gjitha këto dyshime që i mundësoi z. Tahiri përmes deklaratës së tij, le t’i dëshmojë tashmë edhe si dëshmitar në Prokurorinë Speciale të Republikës së Kosovës.
Motivet për zvarritjen e zbardhjes së rastit të vrasjes së Astrit Deharit mbesin ende të panjohura për ne, dhe për këtë familja e Astrit Deharit kanë kërkuar në vazhdimësi që të ndryshohet Prokurori.
Abelard Tahiri po ashtu thekson së që nga zhdukja e mostrave u vështirësua dhe mjegullua hetimi në rastin Dehari edhe pse ai e di shumë mirë që analizat e atyre mostrave janë bërë që nga koha kur është vrarë Astriti dhe raportet për të njëjtat tashmë janë në Prokurori.
Zërat e tillë vijnë për të larguar vëmendjen nga diku tjetër, dhe asnjëherë për të hedhur dritë mbi të vërtetën. Por, le të shpresojmë që deklarata e tij mund t’i kontribuojë të vërtetës për zhdukjen e mostrave, siç potencon ai “që nga pranvera e vitit 2022″.
Për informim të opinionit publik, rikujtoj se që nga 5 nëntori i vitit 2016, pati një sërë përpjekjesh për të manipuluar të vërtetën mbi vrasjen e Astrit Deharit, në Burgun e Prizrenit. Për të gjitha këto kemi folur shumë herë.
Paraardhësja e tij, ish ministrja Dhurata Hoxha përveç se nuk mori kurrfarë përgjegjësie për vrasjen në Burgun e Prizrenit, sipas dyshimeve e njëjta ka ndërhyrë edhe tek zyrtarët e SHKK dhe Inspektoratit.
Me të pranuar mandatin tim si Ministre, kemi ndërmarrë shumë veprime për adresimin e veprimeve të papërgjegjshme të zyrtarëve në SHKK dhe Inspektorat. Për të gjitha këto e kemi njoftuar PSRK e po ashtu kemi nisur procedurat për t’ia kthyer dinjitetin Institucionit të Mjekësisë Ligjore, nga ku rrodhën edhe zhvillime të padëshiruara për të penguar funksionalizimin e mirëfilltë të atij Institucioni.
Insinuatat e krijuara nga ish pushtetarët dhe marionetat e tyre për të penguar punët e mira do t’i përgjigjemi përherë me përgjegjësi, duke dëshmuar konsistencën tonë për të sjellë përherë rezultatet, si çdo herë, dëshpëruese për ata, dhe motivuese për ne dhe qytetarët e Kosovës.