Haxhiu fajëson Agreta Gashin për gjetjet e Auditorit: Vjedhje në blerjen e barnave e deri në transport të kufomave

Prishtinë | 29 Kor 2022 | 07:58 | Nga Ekonomia Online Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Bekim Haxhiu ka drejtuar akuza ndaj ish-kryetares së Bordit të ShSKUK-së, Agreta Gashi, për gjetjet e nga Zyra Kombëtare e Auditimit, raporton Ekonomia Online.

Ndonëse thotë se këto gjetje janë skandaloze, deputeti i PDK-së, thotë se Qeveria Kurti nuk ka guxim të shkarkojë nga pozita e drejtorit të SHSKUK-së, Valbon Krasniqi, pasi sipas tij, Krasniqi ka të dhëna konkrete për keqpërdorimet që janë bërë në këtë institucion.

Haxhiu thotë se keqpërdorimet janë bërë gjatë kohës kur Bordi i SHSKUK-së udhëhiqej nga Agreta Gashi, e cila është shpërblyer me pozitë nga Qeveria Kurti.

Duke cituar raportin e Auditorit, Haxhiu ka thënë se keqpërdorimet që kanë ndodhur në kohën kur kryetare e Bordit ka qenë Gashi janë të shumta, duke filluar nga vjedhjet në blerjen e barnave, pajisjet mjekësore e deri në transport të kufomave.

“Raport profesional nga ana e Zyrës Kombëtare të Auditorit, janë më shumë vërejtje sesa sesa janë prezantuar gjatë vitit 2021. Auditori ka gjet keqpërdorime prej blerjes së barnave, investimeve kapitale e deri tek keqpërdorimet apo vjedhjet me transportin me kufoma dhe kjo është shumë shqetësuese. Shtatë milionë të pabarazuara të investimeve kapitale e blerjeve e porositje e mallit pasi ka arrit në depo, keqpërdorime të jashtëzakonshme dhe unë mendoj se këtu do duhej të reagonte Ministria e Shëndetësisë, sepse të gjitha këto keqpërdorime kanë ndodhur në kohën kur në Bordin e ShSKUK-së e ka udhëhequr Agreta Gashi, ndërsa drejtor menaxhues ka qenë Valbon Krasniqi”, tha Haxhiu për Ekonomia Online.

“Dje është fol në medie që Valbon Krasniqi do të shkarkohej derisa Agreta Gashi përkundër gjitha këto keqpërdorimeve që kanë ndodh në SHSKUK, në kohën kur ajo ka qenë kryetare e Bordit, është shpërblyer me pozita nga Qeveria e Kosovës, duke u emëruar në Bordin e Sigurimeve Shëndetësore, vazhdon të qëndrojë në Bordin e SHSKUK-së dhe të jetë në Bordin e Specializimeve. Si supermene e keqpërdorimeve në SHSKUK, është shpërblyer nga Qeveria e Kosovës për të gjitha këto abuzime me paranë publike”, tha tutje Haxhiu.

Deputeti i PDK-së, ka folur edhe për përzgjedhjen e drejtorëve nëpër klinika të ndryshme. Si pasojë e keqmenaxhimit, Haxhiu thotë se janë shtuar listat e pritjes nëpër klinika e deri te largimi i mjekëve nga QKUK-ja.

“Ka drejtor të emëruar politik të cilët janë shpërfillur të gjitha normat e një konkursi të barabartë dhe për pasojë kemi lista të gjata të pritjes. Disa prej Klinikave ku listat e pritjes ka qenë zero ndërsa tani kanë shkuar më shumë se një vit e gjysmë. Duke qenë se kryetarja e Bordit ka qenë edhe pjesë e Anestezisë, ne kemi vetëm në gjashtë muajshin e fundit ku më shumë se shtatë anesteziologë e kanë lëshuar vendin në QKUK dhe kanë shkuar të punojnë në sektorin privat, e për më keq Mjekimi Intensiv Qendror (MIQ), nga 27 shtretër sa kishte dikur në vitin 2019, tani kapacitetet janë reduktuar në 21 shtretër dhe pacientët detyrohen që në sektorin privat detyrohen të paguajnë deri në 1 mijë euro natën në kujdesin intenziv sepse nuk në QKUK nuk ka kapacitete”, tha Haxhiu. 

Të ngjashme