Haxhiu: Haradinaj e ka të gatshëm kabinetin qeverisës

Prishtinë | 01 Gus 2017 | 13:53 | Nga

I nominuari për kryeministër nga koalicioni PDK-AAK-Nisma, Ramush Haradinaj, e ka të gatshëm kabinetin qeveritar të cilin do ta prezantoj para Kuvendit.

Deputetja e AAK-së, Teuta Haxhiu, i tha Radio Kosovës se brenda koalicionit PAN ka ekspertë të të gjitha lëmive që do të udhëheqin me ministritë e caktuara

Përderisa kanë mbetur edhe dy ditë deri në mbajtjen e seancës konstituive të Kuvendit, i nominuari për kryeministër nga koalicioni PAN, Ramush Haradinaj, e ka të gatshëm kabinetin qeveritar për ta propozuar para Kuvendit. Deputetja e AAK-së Teuta Haxhiu, konfirmon për Radio Kosovën se janë marrë vesh me koalicionin dhe kabineti do të përbëhet nga ekspertë të fushave të caktuara.

“Kryetari Haradinaj është i përgatitur me të gjithë kabinetin qeveritar. Ne, vetëm si AAK, kemi shumë njerëz të përgatitur të profesioneve të ndryshme, e lëre me si koalicion PAN. Pra, Qeveria do të përbehet nga ekspertë të koalicionit që do t`iu prijë Haradinaj”, deklaroi Haxhiu.

Presidenti Hashim Thaçi, ka caktuar 3 gushtin, datë kur do të mbahet seanca për konstituimin e Kuvendit. Mirëpo, Haxhiu nuk është e sigurt nëse seanca për votimin e qeverisë do të mbahet në të njëjtën ditë apo do të shtyhet një ditë pas.

“Në interes të vendit është që në të njëjtën ditë, pra pas konstituimit të Kuvendit, të mbahet edhe seanca për votimin e qeverisë. Formimi sa më i shpejt i qeverisë është në interes të Kosovës ngase kanë mbetur shumë çështje prapa”, tha ajo.

E sa i përket sigurimit të 61 votave të domosdoshme për zgjedhjen e krye parlamentarit dhe votimit të qeverisë, deputetja e AAK-së Teuta Haxhiu edhe një herë rithekson se deputetë të subjekteve tjera, janë shprehur të gatshëm të votojnë pro, për t`i quar proceset përpara.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme