Ministrja e Drejtësisë Albulena Haxhiu ka thënë se kryeministri Albin Kurti nuk e ka refuzuar ftesën e Prokurorisë Speciale, raporton Ekonomia Online.
Sipas saj kërkesa e kabinetit të qeverisë që Kurti të intervistohet në zyrën e tij, është e ligjshme dhe kjo ka ndodhur edhe në të kaluarën.
Ajo tha se Kurti është ftuar për intervistim në ditën kur VV-ja ka paraqitur listën për deputetë, e sipas saj me këtë veprim Prokuroria Speciale po mundohet ta minojë punën e qeverisë dhe VV-së “siç zakonshëm ka bërë”.
“Kryeministri Kurti nuk e ka refuzuar kërkesën e Prokurorisë Speciale për intervistim, përkundrazi kryeministri Kurti ka shprehur gatishmëri që kërkesa e tyre të realizohet. Kabineti i kryeministrit i ka propozuar tri data se kur mund të realizohet kjo kërkesë bazuar në agjendën e kryeministrit Kurti, dhe tashmë gjatë kësaj jave kanë mbetur dy data që kabineti i kryeministrit i ka propozuar Prokurorisë Speciale.”
“Nuk ka asnjë arsye që prokurorët që thuhet se janë të interesuar që të marrin dëshminë e kryeministrit Kurti për rezervat shtetërore, të refuzojnë kërkesën e kryeministrit Kurti për ta intervistuar në zyre siç ka kërkuar kryeministri. Kjo nuk është hera e parë që kjo ndodh, ka ndodhur edhe në të kaluarën por nuk duam të flasim”.
“Nuk është diçka e pazakontë, nuk është diçka e paligjshme, prandaj nëse Prokuroria Specisle është e interesuar që ta marrë dëshminë e kryeministrit, lirisht mund t’i përgjigjet kërkesës së kabinetit Kurti. Prokuroria Speciale me këto veprime ka tendencë për ta minuar punën tonë, për ta bllokuar punën tonë, për ta dëmtuar LVV-në dhe qeverinë siç zakonshëm kanë bërë”, tha Haxhiu.