Deputetja nga radhët e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Teuta Haxhiu ka ironizuar me deputeten e Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila, pasi sot ajo dhe subjekti i saj politik nuk e votuan pro Ligjit për Rimëkëmbje Ekonomike.
Haxhiu përmes një shkrimi në rrjetin social Facebook ka thënë se Mimoza nuk e votoi Ligjin, teksa ata ia votuan amendamentin.
“Sa ironike, ne votuam amendamentin e Mimozës dhe ajo nuk e votoi Ligjin!”, ka shkruar deputetja e AAK-së.
Kujtojmë se Kusari-Lila ka dhënë një propozim-amandament në Projektligjin Nr.07/L-016 për Rimëkëmbje Ekonomike Covid-19, i cili u votua në Kuvend.
Ndërsa, sot deputetët pas shumë përpjekjeve, votuan edhe Ligjin për Rimëkëmbje Ekonomike, i cili kaloi në lexim të dytë.