Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Albulena Haxhiu ka thënë se grupi parlamentar i Vetëvendosjes ka nisur mbledhjen e nënshkrimeve për hetimin e SHIK-ut.
Ajo ka bërë të ditur se deri tani kanë mbledhur 31 nënshkrime andaj duhen edhe nëntë të tjerë, transmeton lajmi.net.
Haxhiu dje këtë e konfirmoj edhe për lajmi.net, ku tha se LDK nuk është e gatshme të jep nënshkrimet për këtë nismë.
“Ne kemi nisur mbledhjen e nënshkrimeve për Komisionin Hetimor për SHIK-un dhe deri më tani i kemi 31 nënshkrime do të thotë na duhen edhe nëntë nënshkrime. Po ashtu jemi duke bisedua edhe me deputetët e opozitës pasi që nuk kemi parë gatishmëri nga Grupi Parlamentar i LDK-së për të dhënë nënshkrime. Dhe, është e pakuptimtë se si GP i LDK-së nuk i jep nënshkrimet për hetimin e SHIK-ut ani pse ata kanë pasur akuza të mëdha në drejtim të SHIK-ut por duket nuk e ka pasur seriozisht për të hetuar SHIK-un”, ka thënë ajo.
Shktimi i plotë në Facebook:
Siç e kemi bërë të ditur, grupi parlamentar i Lëvizjes VETËVENDOSJE!, ka nisur mbledhjen e nënshkrimeve për formimin e Komisionit për hetimin e SHIK-ut.
I kemi mbledhur 31 nënshkrime, na duhen edhe nëntë nënshkrime të deputetëve.
Në emër të grupit, i kam shkruar shefit të grupit parlamentar të LDK’së. I kam kërkuar të njëjtit mbështetje për këtë iniciativë por që ende nuk kam marr asnjë përgjigje nga ai.
Për ne është e papranueshme qasja dhe hipokrizia e vazhdueshme e LDK-së, në këtë rast edhe sa i përket SHIK-ut!
Në njërën anë, çdo ditë akuzojnë SHIK-un për veprime kriminale dhe në anën tjetër NUK e kanë guximin të ndërrmarin asnjë veprim, madje në mandatin e kaluar deputetët e LDK-së kishin votuar Kadri Veselin për kryetar Kuvendi.
I bëjmë thirrje grupit parlamentar të LDK-së, të na japin nënshkrimet ose në të kundërtën nuk kanë më asnjë të drejtë as morale të thirren në kundërshtimin e SHIK-ut.
Ky është momenti të na tregojnë të gjithëve a e kanë përnjëmend kundërshtimin e SHIK-ut.