Haxhiu nga Memoriali “Heroinat”: Janë ngritur 12 aktakuza për dhunën seksuale gjatë luftës në Kosovë

Prishtinë | 14 Pri 2026 | 09:07 | Nga Ekonomia Online

U.d. Presidentja e Republikës së Kosovës, njëherit kryetarja e Kuvendit Albulena Haxhiu, ka bërë homazhe pranë Memorialit “Heroinat”, duke theksuar rëndësinë e kujtesës dhe drejtësisë për të mbijetuarit e dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë, raporton Ekonomia Online.

“Sot së bashku me Kryeministrin Kurti, me Vasfijen, me Feriden, me Danin, me ministra, deputetë të Kuvendit të Republikës së Kosovës, përfaqësues të institucioneve në Republikën e Kosovës dhe përfaqësues të organizatave të shoqërisë civile, jemi këtu pranë memorialit ‘Heroinat’ për të nderuar sakrificën, por po ashtu edhe dinjitetin e të mbijetuarve të dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë. Janë histori të thella të dhimbjes, por edhe të qëndresës dhe forcës së jashtëzakonshme. Vajzat dhe gratë, sikurse edhe djemtë e burrat që i mbijetuan kësaj dhune, na tregojnë që kemi edhe shumë punë për adresimin e përgjegjësive tona si institucione të Republikës së Kosovës, e sidomos në adresimin e drejtësisë. Dhe kur jemi këtu, më lejoni t’ju njoftoj që gjatë kohës së fundit janë ngritur edhe 12 aktakuza për dhunën seksuale gjatë luftës së fundit në Kosovë. Kemi edhe tri vendime të gjykatave, vendime dënuese për rastet e dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë, ku dy prej tyre janë në Gjykatën Themelore, ndërsa një ka marrë vendimin pra të formës së prerë”, tha ajo.

Në vazhdim, Haxhiu theksoi përkushtimin institucional për të mbështetur të mbijetuarit dhe për të ndjekur penalisht krimet e luftës.

“Si institucione të Republikës së Kosovës gjatë këtyre ditëve dhe gjatë kësaj periudhe kemi adresuar përgjegjësitë në raport me adresimin e krimeve të luftës në përgjithësi. Prandaj edhe do të angazhohemi që të gjitha nevojat e të mbijetuarve të dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë t’i adresojmë sipas përgjegjësive që kemi. Këtu jam edhe me Feriden, jam me Danin, e me Vasfijen. Unë falënderoj organizatat e shoqërisë civile që për më shumë se dy dekada prej paspërfundimit të luftës kanë mbajtur lart moralin, por edhe kanë adresuar dëmet dhe krimet që Serbia i ka bërë në Republikën e Kosovës, përfshirë edhe rastet e krimeve të luftës, krimeve kundër njerëzimit por edhe gjenocidin, e këtu përfshihet edhe dhuna seksuale. Vasfija, e Dani, sikurse edhe Shyretja, sikurse edhe Marte Tunaj kanë folur për këto krime dhe kjo dëshmon që këta nuk janë fajtorë. Fajtorë janë kriminelët që i kanë kryer këto krime. Prandaj unë thërras sot edhe njëherë që partnerët tanë ndërkombëtarë t’i bëjnë presion Serbisë që t’i dorëzojë kriminelët para institucioneve të Republikës së Kosovës, sepse siç e dini, Serbia është bërë strehë e kriminelëve të luftës por po ashtu edhe atyre terroristëve që kryejnë krime në kohë të paqes. Është e rëndësishme që institucionet e drejtësisë po e zbatojnë gjykimin në mungesë, sepse si pasojë e asaj që përmenda që Serbia nuk i dorëzon kriminelët e luftës, ne jemi të detyruar që të mundësojmë gjykimin në mungesë, që sado pak të zbusim dhimbjen e familjarëve por edhe të të mbijetuarve”, tha tutje Haxhiu.

Të ngjashme