Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Bekim Haxhiu, ka kritikuar Qeverinë për gjendjen në shëndetësi, raporton Ekonomia Online.
Ai tha se gjendja në këtë sektor çdo ditë po shkon drejt përkeqësimit, dhe siç shtoi ai, vuajtjet e pacientëve po rriten dhe bashkë me ta edhe pakënaqësitë e profesionistëve shëndetësorë.
“Skandale të shumta po përcjellin shëndetësinë tonë me udhëheqjen e kësaj qeverie. Vrasja e gruas shtatzënë para Gjinekologjisë, gjymtimi i foshnjës së vdekur në lavatriçe në Pejë, djegia e pacientit në Psikiatri, janë skandalet më të mëdha me këtë qeveri. Kur për këto në institucione publike nuk ka llogaridhënie e përgjegjësi, si mund të presim të japë dikush llogaridhënie për hajni dhe keqpërdorimet në shëndetësi”, tha Haxhiu.
Haxhiu poashtu tha se mbi 15 milionë e 600 mijë euro janë keqpërdorur në shëndetësi.
“Zyra kombëtare e auditimit për vitin 2021-2022 ka evidentuar mbi 15 milionë e 600 mijë euro keqpërdorime në shëndetësi dhe asnjë llogaridhënie, asnjë përgjegjësi, përkundrazi keqpërdoruesit u avancuan në pozita edhe më të larta”.
Tutje, gjatë fjalës së tij, deputeti i PDK-së tha se referimet për trajtim jashtë vendit janë kthyer në ankth për pacientët.
“Shërbimet që nuk mund t’i marrin në Kosovë, bllokohen me muaj e vite në fondin e sigurimeve shëndetësore i cili është më shumë pa bord se me bord. Pacientët vdesin duke pritur një aprovim nga bordi për trajtim jashtë vendit. Këto dështime mbulohen në emër të miratimit të ligjit për shëndetësi dhe sigurime shëndetësore. Një qeveri që për tre vjet nuk mund të miratojë një strategji të shëndetësisë normal që dështimi dhe zhgënjimi është i madh. Është koha që koka të kthehet kah shëndetësia jonë sa nuk është bërë tepër vonë”, tha Haxhiu