Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka paralajmëruar një vizitë në Hagë për t’i takuar ish-krerët e UÇK-së. Ajo ka thënë se në Hagë do të shoqërohet nga një anëtar i Komisionit për Legjislacion dhe nënkryetarja e Kuvendit, Saranda Bogujevci, raporton Ekonomia Online.
Kështu bëri të ditur në pjesën për pyetjet e gazetarëve gjatë konferencës sa foli për punën e saj njëvjeçare si ministre e Drejtësisë.
“Unë bashkë me Komisionin për Legjislacion dhe nënkryetaren e Kuvendit Saranda Bogujevci kemi planifikuar ta kemi një vizitë në Hagë. Është e vërtetë që disa prej tyre nuk e kanë pritur Ministrinë e Drejtësisë në vizitë, mirëpo si Ministri e Drejtësisë e kemi për obligim që të bëjmë kërkesa për të gjithë. Sa i përket luftës së UÇK-së kemi një qëndrim: Lufta ka qenë luftë e drejtë për çlirim. Problemet politike të pasluftës me ta nuk më bëjnë mua që mos të kërkoj një takim me ta”, tha Haxhiu.
Haxhiu nuk ka dashur ta komentojë më shumë veçse të kërkojë nga Këshilli Gjyqësor i Kosovës të marrë masa ndaj kryetares së Gjykatës Themelore në Mitrovicë, Lilijana Stefanoviq, për pjesëmarrjen e saj në takim me Këshillin e Sigurisë së Serbisë, raporton Ekonomia Online.
Në një konferencë për medie, ministrja Haxhiu ka thënë se përgjegjësia bie mbi KGJK-në dhe se gjyqtarët duhet të sillen me integritetin më të lartë moral e profesional.
“Pjesëmarrja e kryetares së Gjykatës Themelore në Mitrovicë me presidentin Vuçiq… Më vjen keq për këtë. Gjyqtarët duhet të sillen me integritetin më të lartë moral e profesional. Çfarëdo takimi e cenon këtë integritet. Për veprimet apo shkeljet apo dyshimet për gjyqtarët, përgjegjësia bie mbi Këshillin Gjyqësor të Kosovës”.
Haxhiu u pyet edhe për procesin e Vettingut. “Nuk jemi duke u ngutur. Konsideroj që është proces i domosdoshëm prandaj presim opinionin e venecias dhe urojmë ta kemi mbështetjen e opozitës, sepse na duhen 2/3 në Parlament”, tha ajo.
Tutje foli edhe për dështimin e votimit të Kodit Civil, për të cilën tha se do ta dërgojnë sërish në Kuvend.
“Pas Kushtetutës së Kosovës, konsiderohet si dokument shumë i rëndësishëm prandaj do ta riprocedojmë në Kuvend të Kosovës. Duke pasur parasysh që nuk ka afat, ne do ta riprocedojmë”
“Ka deputetë që janë të feve të ndryshme, mirëpo deputetët duhet të përfaqësojnë interesin e qytetarëve të Kosovës. Ne nuk negociojmë për të drejtat e njeriut”, tha ajo.