Haxhiu për “Marshin për Liri”: Lufta e UÇK-së ishte luftë e drejtë për çlirim

Prishtinë | 12 Sht 2026 | 16:08 | Nga Ekonomia Online

Ushtruesja e detyrës së presidentes së Kosovës, Albulena Haxhiu, ka reaguar pas “Marshit për Liri” të mbajtur sot në Prishtinë, duke falënderuar organizatorët dhe qytetarët që morën pjesë në këtë organizim.

Përmes një postimi në rrjetet sociale, Haxhiu ka vlerësuar mënyrën paqësore dhe dinjitoze të protestës, duke thënë se qëndrimi për luftën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës mbetet i qartë në Kosovë.

“Falënderoj organizatorët e Marshit për Liri dhe qytetarët që sot dolën në Prishtinë për ta shprehur paqësisht dhe me dinjitet një qëndrim që në Kosovë ka qenë dhe mbetet i qartë”, ka shkruar Haxhiu.

Ajo ka theksuar se lufta e UÇK-së ishte luftë për çlirimin e Kosovës, duke e lidhur atë me vitet e shtypjes dhe dhunës ndaj shqiptarëve.

“Lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ishte luftë e drejtë për çlirim. Ajo erdhi pas viteve të shtypjes dhe dhunës së një regjimi që përdori gjithë aparatin e vet shtetëror kundër shqiptarëve në Kosovë”, ka deklaruar Haxhiu.

Sipas ushtrueses së detyrës së presidentes, marshi i sotëm dëshmoi se këto qëndrime mund të shprehen fuqishëm, por njëkohësisht në mënyrë të qetë dhe dinjitoze.

“Marshi i sotëm tregoi se ky qëndrim mund të shprehet fuqishëm duke ruajtur njëkohësisht qetësinë dhe dinjitetin. Kështu i bëhet nder sakrificës së atyre që luftuan dhe Republikës që u ndërtua mbi atë sakrificë”, ka shkruar Haxhiu.

Të ngjashme