Mbi 10 mijë raste të reja janë shënuar në Kosovë vetëm në javën e fundit.
Deputeti i PDK-së, Bekim Haxhiu për këtë rritje enorme të rasteve po e fajëson komplet kabinetin e Qeverisë Kurti, por për njërin nga anëtarët e tij “thumbat” i ka më të ashpër.
Ministrin e Shëndetësisë, Arben Vitia, ai po e quan specializant të dështuar të Pulmologjisë, dështim që sipas tij po e përcjell edhe në menaxhimin e shëndetësisë.
Andaj mbi këto pretendime ka kohë që e kërkon shkarkimin e tij.
“Duke e parë se vendin tonë po e dërgon në një katastrofë shëndetësore, unë kam kërkuar shkarkimin e Arben Vitisë dy javë më parë. Ata që kanë besuar se një specializant i dështuar mund ta menaxhojë pandeminë dhe përmirësojë sistemin shëndetësor kanë qenë naiv. Situata sot po e dëshmon këtë. Qeveria ka dështuar me masat e marra, me menaxhim dhe vaksinim”, u shpreh Haxhiu për “Front Online”.
Haxhiu, që është edhe anëtar i Komisionit parlamentar për Shëndetësi në Kuvend, nuk beson se Vitia do të jap dorëheqje. E as se kryeministri Kurti do t`ia kërkojë atë.
Për të parin e shëndetësisë, sipas Haxhiut, më me prioritet se pandemia janë zgjedhjet lokale, në të cilat ai garon për kryetar të Prishtinës nga radhët e VV-së.
“Kandidimi i Arben Vitisë për kryetar të komunës së Prishtinës në pikun më të lartë të pandemisë tregon qartë se pushteti është prioritet i tij dhe jo shëndeti i qytetarëve, jo mbështetja e profesionistëve shëndetësorë, jo beteja me pandeminë COVID-19 dhe vaksinimi i qytetarëve”, theksoi Haxhiu.
Kosova ka arritur që të administrojë deri tash 666 mijë e 476 vaksina.
Vetëm me një dozë janë vaksinuar 438 mijë e 895 qytetarë, teksa me të dy dozat deri më tani janë vaksinuar 227 mijë e 581 qytetarë.