Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka shpërndarë sot certifikatat për kandidatët të cilët e kanë kaluar Provimin e Jurisprudencës, raporton Ekonomia Online.
Ministrja e Drejtësisë, u zotua se ky proces ka qenë transparent dhe pa asnjë ndikim.
Ajo ka kërkuar nga te certifikuarit që ta bëjnë punën me profesionalizëm, bazuar në legjislacionin në fuqi.
“Ju uroj më të mirat dhe jam e bindur që kur do që do të orientoheni në sistemin e drejtësisë, si prokuror, gjyqtar, avokat, apo kudo tjetër do ta kryeni detyrën me përgjegjësi të lartë. Kjo është e rëndësishme edhe për juve edhe qytetarët e Kosovës. Pra çfarëdo pozicioni që të merrni në të ardhmen, të jeni të bindur që është më mirën edhe për Kosovën që ai do të jetë një veprim i ligjshëm, pra veprimet dhe vendimet që i merrni të jenë të ligjshme dhe në përputhje me Kushtetutën e Kosovës dhe po ashtu të pa ndikuara”, ka thënë ajo.
Kryetar i Gjykatës Supreme, Fejzullah Rexhepi, ka bërë thirrje të pranishmëve që në asnjë formë, fati i njerëzve të mos ndryshojë për fajin e tyre.
“Kjo do te thotë shumë që i hapen dyert e secilit jurist për të ushtruar profesionin. Por këtë hapje të dyerve mos e merrni si privilegj por merreni edhe si përgjegjësi sepse pavarësisht se cilin profesion do ta ushtroni, keni gjithmonë përgjegjësin që e keni fatin e njerëzve në dorë. Kujdesuni që asnjë herë fati i njerëzve të mos ndryshoj për fajin e juaj”, ka thënë ai.