Kryetarja e Kuvendit, Albulena Haxhiu për nder të ditë së gruas bashkë me deputetet e LVV-së ka bërë homazhe te memoriali “Heroinat” në kryeqytet, raporton Ekonomia Online.
Ajo ka shprehur se qëndrueshmëria dhe dinjiteti i të mbijetuarave të dhunës seksuale gjatë luftës së fundit në Kosovë është forcë dhe ka kujtuar të gjitha gratë për kontributin e tyre për Kosovën.
“Sot më 8 mars së bashku me deputetet e Republikës së Kosovës, ditën e filluam pranë memorialit që I dedikohet të mbijetuarave të dhunës seksuale gjatë luftës së fundit në Kosovë. Çdo medaljon këtu përmban histori në ndërgjegjen tonë kolektike. Më 8 mars pra në ditën që i dedikohet të gjitha grave dhe vajzave në mbarë botën, kujtimi për të mbijetuarat e dhunës seksuale është edhe më i thellë. Qëndrueshmëria dhe dinjiteti I tyre janë forca jonë, prandaj sot le të kujtojmë edhe sakrificën e të mbijetuarave seksuale gjatë luftës së fundit në Kosovë por po ashtu edhe sakrificën të gjitha grave që kanë kontribuar për Republikën e Kosovës qoftë para luftës, qoftë gjatë luftës dhe por edhe pas luftës”, tha e para e Kuvendit.
