Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, tha se Komisioni i Venecias është pajtuar për ndryshimet ligjore, që ka prezantuar Qeveria për reformimin e Këshillit Prokurorial të Kosovës (KPK), raporton Ekonomia Online. Sipas saj, Komisioni i Venecias nuk e ka përkrahur rritjen e përkohshme të anëtarëve të KPK-së, derisa tha se është rekomanduar që numri i anëtarëve të jetë shtatë.
Haxhiut shtoi se ndryshimet në Ligjin e KPK-së duhet të bëhen me qëllim të sigurimit së balancës brenda institucionit, duke shtuar e reforma duhet të ndodh.
“Komisioni i Venecias nuk e rekomandon zgjerimin e numrit të anëtarëve të Këshillit Prokurorial të Kosovës, por të mbetet në 7, siç kemi theksuar ne dhe kjo konsiderohet reforma që e konsiderojmë të rëndësishme. Këshilli duhet të funksionojë me standardet ndërkombëtare dhe të jetë institucion i pavarur e të ketë debat demokratike në kuadër të anëtarëve prokurorë dhe joprokurorë”.
“Dy ndryshime në Ligjin për KPK-në: Përbërja permanente nga 7 anëtarë; 3 prokurorë, 3 anëtarë joprokurorë dhe kryeprokurori i shtetit. Dhe nga 13 anëtarë të KPK-së në 19 deri në janar të 2026-s, që të sigurohet balancim i përbërjes deri atëherë kur anëtarëve të KPK-së t’iu përfundojnë mandatet. Nga ndryshimet kemi propozuar kritere shtesë për anëtarët e Këshillit”.
Haxhiu tha se është e rëndësishme se Këshilli Prokurorial i Kosovës të jetë institucion i pavarur. Ajo foli edhe për opozitën, duke thënë se në vazhdimësi po i pengon reformat në drejtësi.
“Është e rëndësishme që Këshilli Prokurorial i Kosovës të jetë institucion i pavarur kushtetues, të ketë debat e diskutim demokratik në kuadër të anëtarëve prokuror dhe anëtarëve joprokuror, sepse siç e dini për momentin kemi probleme shumë të mëdha me Këshillin Prokuorial të Kosovës. Vetëm vendimet e fundit të Këshillit Prokurorial të Kosovën na kanë dëshmuar që reforma në këtë institucion është jashtëzakonisht e nevojshme”, tha Haxhiu.
“Venecia nuk kërkon me ngulm që ta braktisim idenë e rritjes së numrit të anëtarëve të Këshillit Prokuorial, por megjithatë parasheh rreziqe dhe nuk e mbështet më tepër sesa versionin e përbërjes së përhershme, prej shtatë anëtarëve. Duke pasur parasysh këtë unë konsiderojë që është e rëndësishme që të bëjë diskutim edhe me komision për legjislacion edhe me deputetët e mazhorancës edhe me deputët e opozitës. Kjo formë mund të kalojë vetëm në rrethanat kur kemi një unifikim ta zëmë në Kuvendin e Republikës së Kosovës”.
“Sepse ju e dini se opozita në vazhdimësi po i pengon reformat në drejtësi edhe përkundër faktit se shumë herë e kam theksuar se mund të kemi dallime të shumta në çështje të ndryshme, politikave ditore, ideologjike, konceptuale etj, por për reformën në drejtësi, duke qenë se është e rëndësishme për qytetarët e Republikës, do të duhej që të ishin të bashkuar”.
Fjalimi i plotë
Qëllimi i kësaj konference është të ju njoftoj lidhur me zhvillimet e fundit për Reformën në Këshillin Prokurorial të Kosovës.
Javën e kaluar kam marrë pjesë në seancën plenare të 137-të të Komisionit të Venedikut ku edhe prezantova qëllimet e Qeverisë tonë për reformën në drejtësi, dhe veçanërisht për reformën përmes ndryshimeve ligjore në Ligjin për Këshillin Prokurorial të Kosovës. Siҫ e dini, pas shpalljes së pavlefshme të Ligjit për KPK nga Gjykata Kushtetuese, më 12 korrik të këtij viti, Qeveria e Kosovës ka miratuar sërish ndryshimet ligjore në Ligjin për Këshillin Prokurorial të Kosovës dhe të njëjtat janë aktualisht në procedura të shqyrtimit në Kuvend.
Këto ndryshime, mes tjerash kanë për qëllim: sigurimin e balancimit të përbërjes së KPK-së edhe me anëtarë jo-prokurorë, pasi aktualisht Këshilli funksionon vetëm me anëtarë prokurorë, plotësisht në kundërshtim me standardet ndërkombëtare në këtë drejtim. Përbërja aktuale e Këshillit shkakton korporatizëm i cili është burim i të gjitha problemeve tjera. Si rezultat, në linjë me rekomandimet paraprake të Komisionit të Venecias dhe ato të Aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese për eliminimin e koorporatizmit dhe arritjen e balancit me anëtarë prokurorë dhe jo-prokurorë në KPK, ne kemi bërë dy propozim-ndryshime në ligjin që kemi proceduar: a. Përbërjen permanente 7 anëtarëshe (3 prokurorë, Kryeprokurori i Shtetit dhe 3 anëtarë jo-prokurorë) e cila do të fillonte së funksionuari prej muajit janar 2026, dhe gjithashtu kemi propozuar b. Përbërjen apo rritjen e përkohshme të anëtarëve të Këshillit nga 13 anëtarë sa i parasheh ligji aktualisht – në 19 anëtarë deri në Janar të vitit 2026, në mënyrë që të sigurohet balancim i përbërjes deri në atë kohë dhe gjithashtu, pra deri në kohën kur anëtarët aktual të KPK, përfundojnë mandatet. përmes ndryshimeve ligjore kemi propozuar gjithashtu kritere shtesë për anëtarët e Këshillit, duke u siguruar që ata që zgjedhen të kenë integritet dhe aftësi menaxheriale, por edhe këto procese të monitorohen nga shoqëria civile e partnerët ndërkombëtar; pastaj, kemi propozuar të drejtën në ankesë ndaj vendimeve të Këshillit për emërim dhe ri-emërim të prokurorëve, në Gjykatën Supreme; tutje, kemi propozuar rregulla për eliminimin e konfliktit të interesit, publikimin e vendimeve të Këshillit dhe aspekte tjera të ngritjes së transparencës, por edhe ndryshime shtesë të cilat janë të rëndësishme për funksionimin e KPK-së. Për këto ndryshime ligjore, pas kërkesës së partnerëve ndërkombëtarë, Kryetari i Kuvendit të Kosovës kishte kërkuar Opinion nga Komisioni i Venecias në Gusht të këtij viti.
Pas shumë diskutimeve substanciale me raportuesit e Komisionit të Venecias, ju njoftoj që ky Opinion është miratuar në seancën të cilën mora pjesë javën e kaluar, datë 15-16 dhjetor 2023. Në Opinionin i cili do të publikohet gjatë kësaj jave nga Komisioni i Venecias, theksohet edhe një herë fuqimisht nevoja për reformim të Këshillit Prokurorial dhe veçanërisht balancim të përbërjes mes anëtarëve prokurorë dhe jo-prokurorë që ishte qëllimi ynë kryesor, ashtu që të sigurohet efikasitet, integritet e transparencë në punën e KPK-së. Për ne është shumë e rëndësishme që përbërja e propozuar prej 7 anëtarëve në KPK është vlerësuar të jetë në përputhje me standardet ndërkombëtare, dhe kjo do të jetë synimi ynë deri në finalizim të kësaj reforme. Pra, kjo përbërje e përhershme 7 anëtarëshe – me rekomandimet përkatëse të Komisionit, eliminimi i korporatizmit dhe grupeve klanore, arritja e balancit dhe forcimi i mandatit kushtetues të Këshillit ashtu siç është qëllimi i kësaj reforme, edhe njëherë janë plotësisht të pranueshme dhe të validuara nga Komisioni i Venecias, dhe mbetet reformë e domosdoshme për tu finalizuar dhe adresuar.
Mirëpo, Komisionit të Venecias nuk e përkrah rritjen e përkohshme të numrit të anëtarëve të KPK-së, marr parasysh ndër të tjera: vështirësitë që Kuvendi mund t’i ketë të zgjedh një numër më të madh të anëtarëve, dhe mundësitë tona kushtetuese – faktin që të gjithë këta anëtarë zgjedhën me shumicë të thjeshtë në Kuvend, ashtu siç parasheh Kushtetuta jonë po ashtu argumentojnë që Kosova ka pak më shumë se 200 prokurorë dhe 19 anëtarë në KPK është përbërje jo e duhur Të nderuar të pranishëm dhe të gjithë që po na ndjekni, E kemi potencuar disa herë se draftimi i kësaj reforme, tash në verzionin e ri, është bërë marrë parasysh kufizimet e vendosura nga Gjykata Kushtetuese në Aktgjykimin e muajit prill të këtij viti. Dhe ashtu siç kemi theksuar qoftë gjatë draftimit, poashtu në qëndrimet tona publike, rritja e përkohshme, ndonëse jo më e mira e mundshme marrë parasysh limitet/kufizimet e vendosura nga Gjykata Kushtetuese, ka qenë zgjidhja e përkohshme dhe mundësia e vetme që të eliminiohet korporatizmi dhe arrihet balanci i anëtarëve prokurorë dhe jo-prokurorë në KPK, Por për arsyet e cekura më sipër, një gjë e tillë nuk preferohet nga Komisioni i Venecias. Gjithashtu për Komisionin e Venecias është e rëndësishme që të sigurohemi që të përfshijmë më shumë ekspertë dhe institucione të pavarura në procedurën e Kuvendit për zgjedhjen e anëtarëve jo-prokurorë.
Këto janë propozime plotësisht të pranueshme për Ministrinë e Drejtësisë, pasi që ne nga dita e parë që e kemi nisur këtë reformë kemi thënë se qëllimi ynë është që KPK të funksionojë në përputhje me standardet ndërkombëtare dhe posaçërisht ato të Komisionit të Venecias, të bëj punën ashtu siҫ i përket një institucioni të pavarur kushtetues, dhe të ketë veçanërisht mendime ndryshe e diskutim demokratik në kuadër të një rrethi të ngushtë të prokurorëve të cilët aktualisht mendojnë njëjtë dhe votojnë unanimisht, ҫka shihet edhe prej rasteve të fundit për përzgjedhje të kryeprokurorëve dhe jo vetëm. Në këtë drejtim, sapo Kuvendi të fillojë sesionin, në pjesën e dytë të janarit duhet ta miratojë sa më shpejtë në lexim të parë Projektligjin e propozuar për Këshillin Prokurorial, duke hapur kështu rrugën që në procedura të leximit të dytë në Kuvend të bëhen amendamentet e nevojshme që sigurojnë përputhshmëri me Opinionin e ri të Komisionit të Venecias. Ftoj gjithashtu partitë opozitare por edhe vetë Këshillin Prokurorial për një qasje konstruktive në finalizimin e këtyre ndryshimeve në grupin punues që pres të krijohet së shpejti në Kuvend.
Ministria e Drejtësisë, si propozuese e Projektligjit, do të ofrojë mbështetjen e saj të vazhdueshme për këtë grup punues për hartimin dhe finalizimin e amendamenteve të nevojshme. Amendamentet për vetingun në sistemin e drejtësisë, për të cilat ende presim vendimin e Gjykatës Kushtetuese, tash e 10 muaj, ligji për prokurorinë e shtetit i cili ka hyrë në fyqi së fundi, ai për prokurorinë speciale i cili poashtu ka hyrë në fuqi së fundi, ky për këshillin prokurorial dhe pjesa e dytë e reformës që del nga deklarata e zotimeve, janë hapa të rëndësishëm në të cilën është punuar gjatë gjithë kësaj kohe. Ju e dini shumë mirë, kemi pasur shumë sfida, pengesa, tendenca për të na bllokuar por do të punojmë deri në fund deri në jetësimin e reformës në drejtësi, para së gjithash sepse kjo është nevojë dhe kërkesë qytetare për cka edhe ne kemi marrë mandatin.
Ju faleminderit për vëmendjen tuaj dhe jam e hapur për pyetjet tuaja.