Kryetarja e Kuvendit, Albulena Haxhiu e ka marrë zyrtarisht sot pozitën e ushtrueses së detyrës së presidentes nga Vjosa Osmani, raporton Ekonomia Onlione.
Haxhiu tha se do të mundohet ta kryejë këtë punë të përkohshme me profesionalizmin më të lartë.
“Ne e dimë që ky ushtrim i kësaj pozite mbahet jo më shumë se gjashtë muaj, por unë uroj që sa më parë Kuvendi i Republikës së Kosovës të zgjedhë presidenten apo presidenten e Republikës së Kosovës sepse rrethanat që mund t’i presim pastaj nëse kjo nuk ndodh, pra me theks te zgjedhjet e jashtëzakonshme, mendoj që nuk janë mirë as për qytetarët e Kosovës as për vetë shtetin e Kosovës duke pasur parasysh punët që i kemi ne para vetes”, ka thënë Haxhiu.
Ajo u ka bërë thirrje grupeve parlamentare që t’i lënë inatet anash dhe ta zgjedhin presidentin.
“Me këtë rast unë sërish u bëj thirrje grupeve parlamentare, deputetëve të Kuvendit të Republikës së Kosovës që sa më parë të ketë një zgjidhje për çështjen e presidentit. Le t’i lënë anash inatet, dallimet politike, e t’i vazhdojnë ato pasi që ta kryejnë këtë obligim kushtetues. Por, deri atëherë natyrisht që siç e përmenda, unë do të angazhohem maksimalisht që përgjegjësitë që ka presidenti t’i kryej me seriozitetin dhe me profesionalizimin më të lartë”, shtoi ajo.
Haxhiu tha se kanë pasur bashkëpunim shumë të mirë me Osmanin dhe i uroi suksese në angazhimet e mëtutjeshme.
“Jam shumë e hapur të vazhdoj bashkëpunimin me ju. Të uroj shumë suksese në angazhimin tënd kudo që ju keni vendosë ta bëni atë”, i tha Haxhiu, Osmanit.
