Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka kritikuar presidentin Hashim Thaçi për propozimin që të shpallet Gjendja e Jashtëzakonshme duke thënë se edhe në këso situata po kërkon primatin.
Ajo tha se Qeveria ka bërë secilin veprim që është dashur të bëhet dhe se për këtë kanë marrë lëvdata edhe nga qytetarët dhe ambasadat.
“Kundër pandemisë COVID – 19, Qeveria ka ndërrmarë secilin veprim me kohë. Disa vendime dhe shumë masa e veprime. Ministria e Shëndetësisë, Instituti i Shëndetit Publik, punonjësit shëndetësor, policia, kanë qenë në krye të detyrës. Për çdo lëvdatë, shembull për shumë vende. Puna e tyre është lavdëruar edhe nga qytetarët edhe nga ambasadat që veprojnë në Kosovë”, ka shkruar Haxhiu në Facebook.
“Qytetarët në masë të madhe kanë qenë të disiplinuar dhe kanë ndjekur rregullat e kanë vepruar në përputhje me vendimet e Qeverisë. Në këto rrethana nuk ka asnjë veprim që është dashur të bëhet dhe që nuk është bërë nga Qeveria. Të gjitha në kohë! Pse të shpallet gjendja e jashtëzakonshme kur situata është në kontroll dhe e menaxhueshme?”.
“Vaj halli nëse edhe në këto rrethana, Presidenti e do primatin. Kjo nuk i ndihmon situatës, përkundrazi!”.
Por, ndryshe nga partneri qeverisës, LDK-ja ka dalë pro këtij propozimi.
Ende nuk dihet se si do të votohet nesër në Kuvend dekreti i Thaçit për shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme për shkak të këtyre mospajtimeve.