Hazard: Real Madridi mund të ëndërrojë suksese këtë sezon

Prishtinë | 24 Sht 2019 | 10:11 | Nga Ekonomia Online

Eden Hazardi beson se Real Madridi mund ta ëndërrojë një sezon të mrekullueshëm përkundër fillimit jo edhe mbresëlënës në La Liga dhe Ligë të Kampionëve.

Real Madridi i ka fituar tri nga gjashtë ndeshjet e para të këtij sezoni të ri, përfshirë këtu fitoren me rezultat 1:0 kundër Sevillas, të dielën, që e uli presionin mbi trajnerin Zinedine Zidane.

Me tre fitore nga pesë ndeshje të La Ligës, Real Madridi ka baras pikë (11) me liderin e ligës, Athletic Bilbaon, mirëpo radhitet i dyti për shkak të dallimit në gola.

Hazardi, i cili i ka bërë vetëm dy paraqitje në ligë këtë sezon, për shkak të një lëndimi, thotë se në Real Madrid ka gjithmonë presion për të arritur gjëra të mëdha dhe, përkundër fillimit zhgënjyes, Hazardi beson se Real Madridi do të ketë sukses këtë sezon.

“Kur luan për Real Madridin, ti duhet ta fitosh çdo ndeshje, kështu është kur je në klubin më të mirë në botë, gjithmonë ke presion mbi vete”, tha Hazard të hënën, pasi u emërua në formacionin më të mirë të vitit të FIFA-s.

“Por, ne e kemi një skuadër cilësore. Ishte e vështirë, por ne fituam në Sevilla, një stadium ku s’është kurrë e lehtë të luash”.

“Edhe Liga e Kampionëve është ende e rëndësishme, edhe pse e kemi humbur ndeshjen e parë kundër PSG-së, por ne mund ta ëndërrojmë një sezon të mrekullueshëm”.

Belgu iu bashkua Real Madridit nga Chelsea në një marrëveshje në vlerë prej 100 milionë eurosh, gjatë afatit kalimtar të verës, dhe nënshkroi kontratë pesëvjeçare në “Santiago Bernabeu”.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme