Albin Kurti nuk po negocion, por thjesht po bisedon në takimet e tij në Bruksel mbi dialogun Kosovë-Serbi, tha për Euronews Albania Lufti Haziri, nënkryetar i LDK-së.
“Po i mbahet qëndrimit të shprehur në Prishtinë që takon, bisedon por nuk është i gatshëm ende për të negociuar dhe takimi sot e konfirmoi”, u shpreh Haziri.
Haziri tha se dialogu duhet të vihet në vijë dhe se deri tani palët nuk po diskutojnë për substancën dhe përmbajtjen e dialogut, por kanë ngecur ende te formati i tij.
“Ka biseda lidhur me formatin dhe agjendën për dialog, për jo substancë”, tha Kryetari i Gjilanit.
Ai shtoi se “palët janë ende në nivele populiste, sesa duke u marrë me substancën e problemit”.
Albin Kurti sot ka dalë me një dokument me gjashtë pika, për të cilin z. Haziri tha se është përtej agjendës së pritur në Kosovë dhe te ky dokument kërkohet që Serbia të përballet me të kaluarën e saj, në mënyrë që të ndërtohet procesi për të ardhmen.
Por, për nënkryetarin e LDK-së, nëse vazhdohet të diskutohet në këtë frymë në Bruksel, atëherë po shkohet në një drejtim që nuk ka fund.
Gjithsesi, për Lufti Hazirin takimi i sotëm Kurti-Vuçiq ka prodhuar marrëveshje që të fillohet të punohet për dialog më tej, mirëpo ai shtoi se “duket se palët janë marrë vesh për të mos u marrë vesh.”