Në kuadër të bashkëpunimit të mikroregjionit Evropian të Komunave të lindjes së Kosovës dhe komunave fqinje nga Kosova Lindore dhe komunave tjera të kësaj pjese, sot kryetari i Komunës së Gjilanit Lutfi Haziri, ka pritur në një takim pune kryetarin e Preshevës, Shqipërim Arifi dhe kryetarin e Bujqnocit Shaip Kamberi, me të cilët kanë koordinuar aktivitetet për të ardhmen dhe funksionalizimin e partneriteteve.
Në fjalën e tij kryetari i Komunës Lutfi Haziri, ka thënë se janë duke punuar në koordinim të përbashkët që të gjenden aktivitete dhe forma për plasim jashtë regjionit tonë.
“Interesi ynë është që të punojmë më shumë me Brukselin dhe me Strazburgun si dy qendrat kryesore të BE-së, por edhe me partneritete të drejtpërdrejta komunale në mënyrë që të ndikohet në zhvillimin e politikave lokale. Jemi të thirrur për të punuar në interesin e komunitetit tonë dhe qytetarëve nëpër komunat tona për zgjidhjen e problemeve, por për shkak të buxheteve të kufizuara, neve na duhet punë shtesë, fonde dhe investime shtesë, edhe nga partnerët dhe fondacionet e ndryshme. Prandaj, duke kërkuar së bashku dhe duke paraqitur kërkesat tona së bashku do të arrijmë që kërkesat tona ti zgjidhim më shpejtë dhe më drejtë gjithnjë në kuadër të zhvillimit”, ka thënë në paraqitjen para gazetarëve, kryetari, Lutfi Haziri.
Ai ka thënë se në bazë të të gjitha parametrave, Gjilani është kryeqendër e këtij mikroregjioni dhe do të jetë një shtytës i fuqishëm i proceseve përpara.
Ndërsa nga ana e tij, kryetari i Bujanocit, Shaip Kamberi, ka thënë se ky bashkëpunim, për rinisjen e funksionimit të mikroregjionit Evropian, është një hapë i rëndësishëm, sepse ndikon në pozitën më të mirë të shqiptarëve atje, por edhe mundësi më e madhe për të bërë investime në infrastrukturë në përgjithësi, që është pritje e madhe e qytetarëve.
Shqipërim Arifi, kryetar i Preshevës ka thënë se është mundësi e madhe që kapacitetet e kufizuara t’i kthejnë në veprime krejt ndryshe në atë të zhvillimit dhe bashkëpunimit për thithje të donacioneve dhe investimeve, sepse siç ka thënë ai “vetëm në këtë formë mund të arrihet përmbushja e objektivave, synimeve dhe politikave zhvillimore të Komunave tona”.
Ndryshe, mikroregjioni Evropian do t’i ketë 20 Komuna të përfshira dhe qëllim është bashkëpunimi në kuadër të kësaj iniciative, për zhvillim ekonomik, kulturor, social dhe bashkëpunime të tjera të rëndësishme në interes të këtyre Komunave.