Kryetari i Degës së Lidhjes Demokratike të Kosovës në Gjilan, njëherësh nënkryetar në nivel qendror, Lutfi Haziri, ka mbajtur sot konferencë për media, ku ka adresuar pikëpamjet e LDK-së karshi problemeve, shkeljeve ligjore e kaosit urbanistik që e ka shkaktuar ekzekutivi i Komunës në Gjilan.
Haziri ka theksuar se Gjilani është nën masa ndëshkuese dhe kufizuese nga Qeveria e Kosovës, për shkak të moszbatimit të ligjit dhe mosarritjes së standardeve të qeverisjes lokale, pasi raporti i auditorit të pavarur e ka kategorizuar këtë komunë me probleme serioze, sikurse edhe për shkak të dështimit frapant në raportin e performancës, transparencës dhe llogaridhënies.
“Për shkak të këtyre problemeve, Gjilani është përjashtuar nga fondet për bashkëpunim ndërkufitar, ndërkohë që kemi qenë komunë lidere për 7 vjet radhazi sa i përket përfitimit të dhjetëra programeve multi-milionëshe të bujqësië, turizmit rural, agro-biznesit dhe aktiviteteve të përmirësimit të teknologjisë së kompanive private”.
Kjo komunë po përballet me shkeljen e madhe të ligjit të fundit në fuqi, me mbi 100 kontrata mbi vepër për militantët, ndërsa problemi më serioz me të cilin po përballet Gjilani është Plani Zhvillimor Komunal dhe mungesa e angazhimit në zonim, që është shkelje e rëndë ligjore, ka theksuar në vazhdim ish-kryetari i Gjilanit. Sipas tij, në Gjilan ka humbur kontrolli në zhvillim urban, ndërkaq ndërtimet pa leje kanë eskaluar.
“Përpos tjerash, ajo që duhet të hetohet nga organet e drejtësisë janë ndërhyrjet në dosje në tender për Stadiumit të Qytetit, kamerat janë fikur dhe edhe pas një muaji, nuk është bërë shpallja e fituesit. Ky është abuzim dhe keqpërdorim i detyrës zyrtare”, ka deklaruar Haziri.