Kryetari i Gjilanit, Lutfi Haziri, ka thënë se vikendi në Gjilan në përballje me COVID-19 ka qenë një betejë e ashpër, pasi kanë humbur jetën dy gjilanas.
Këto komente, Haziri i bëri pas takimit me Komitetin për menaxhimin e përhapjes së COVID-19, të hënën, në një konferencë
për gazetarë.
“Përmes QKMF’së dhe institucioneve tjera shëndetësore, jemi duke i menaxhuar mbi baza ditore 108 rastet aktive me COVID-19, ndërkaq në Spital të Përgjithshëm gjendja është më e qetë pasi kemi 16 raste në trajtim”, ka thënë Haziri.
Ai ka njoftuar se janë prekur nga infeksioni dy shkolla, njëra publike dhe tjetra private.
“Në të dy rastet, një arsimtar është bartës i infeksionit. Ne jemi duke e bërë hulumtimin e fundit për këtë. Shkollat vazhdojnë të jenë të hapura dhe nuk ka vend për shqetësim. Prindërit, mësimdhënësit dhe nxënësit duhet të vazhdojnë t’i bartin maskat”, ka shtuar Haziri.
Kreu i Gjilanit e ka përdorur një këshillë të majorit të KFOR’it italian, Cristian Benegiamo, i cili gjatë takimit të sotëm, ka thënë se ‘duhet t’i edukoni qytetarët që lufta me COVID-19 nuk fitohet në spital, por duke u kujdesur jashtë’.