Nënkryetari i LDK-së që ishte edhe shef i shtabit zgjedhor të kësaj partie në zgjedhjet e 6 tetorit, Lutfi Haziri ka bërë një “kërcënim” publik për ata që e lidhin me PDK-në.
Haziri në “Debat Plus” në RTV Dukagjini, ka thënë se në të kaluarën është akuzuar nga njerëzit e PDK-së se ai është njeri i AAK-së brenda LDK-së, e më pas është akuzuar nga koluaret e Prishtinës se është njeri i PDK-së.
Ai thotë se këto sulme të orkestruara janë duke u bërë nga “hijet” e Prishtinës, që sipas tij kanë për target atë personalisht dhe disa figura të tjera në LDK.
“Nëse një ditë unë flas më shumë se zakonisht, shumë personave do t’iu vijë turp të dalin në rrugët e Prishtinës”, tha ai.
Haziri ka thënë se është betuar se gjërat që ka përjetuar në burg bashkë me shqiptarët tjerë do të mbesin aty dhe nuk do të dalin jashtë në publik.
Haziri ka thënë se edhe koalicioni i mundshëm me Vetëvendosjen do të sjellë pritje të mëdha e që sipas tij “pritjet e mëdha mund të shkaktojnë edhe zhgënjim të madh”, prandaj sipas tij duhet punë shumë e madhe për të evituar këtë gjë.