Konferenca regjionale me temen “Roli i të rinjve në zhvillimin lokal”, e cila po mbahet në Gjilan nën organizimin e zyrës së kryetarit dhe në bashkëpunim me Bankën Botërore, ka vazhduar punimet në seancën e emërtuar “Angazhimi i të rinjve në zhvillim lokal në parandalim të ekstremizmit të dhunshëm.
Me këtë rast, kryetari Lutfi Haziri tha se rinia është e përfshirë në Mekanizmin lokal referues kundër radikalizmit në mënyrë të barabartë me resoret tjera.
“Gjilani është komuna që e aplikon mekanizmin lokal për parandalim të ekstremizmave dhe formave të tjera të terrorizmit, si pjesë e mekanizmit të pilotimit të programit që ne e kemi filluar dhe e kemi aplikuar në vitin e tretë të punës. Përveç sektorëve tjera, ne e kemi të përfshirë edhe rininë në këtë rol, jo vetëm në mënyrë simbolike, por janë të barabartë dhe janë pjesëmarrës në të gjitha modelet e punës që ne i aplikojmë në parandalim të formave të ekstremizmit”, tha ai.
Kryetari Haziri theksoi se target grupi më i prekur nga kauzat e luftërave të huaja është grupmosha më e ndjeshme, përderisa theksoi se rezultat i punës i mekanzimit referues është se kanë katër raste janë identifikuar në mënyrë të hershme dhe është parandaluar shkuarja në luftërat e huaja.
“Target grupi më e prekur prej këtyre formave janë të rinjtë dhe janë grupmosha më e ndjeshme prej 16 deri në 23 vjeç. Rezultatet e para që ne i kemi në parandalim janë inkurajuese sepse ‘denoncimet’ janë vullnetare. Për shembull, neve na lajmërojnë prindërit dhe arsimtarët për ndryshim të sjelljes së fëmijëve, qoftë në familje dhe qoftë në shkolla. Katër raste janë shqyrtuar pozitivisht, derisa disa të tjera janë në shqyrtim e sipër”, tha Haziri.
Në konferencë, po vazhdojnë diskutimet e përfaqësuese të Bankës Botërore, kryetarët e komunave të regjionit lindje, përfaqësues të bizneseve, shoqërisë civile dhe përfaqësues të të rinjve.
Përndryshe, ministri në detyrë i Punëve të Brendshme, Skënder Hyseni, muaj më parë e ka vlerësuar Gjilanin si komunë shembull sa i përket funksionimit të mekanizmit referues.