Nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lutfi Haziri, është shprehur këtë të premte se zgjedhjet në Veri të Kosovës, të mbajtura të dielën e 23 prillit kanë qenë të dështuara, dhe po ashtu tha se të njëjtat janë përcjellë “me vendimin e dështuar për hapjen e Urës së Ibrit”.
Haziri përmes një postimi në rrjetin social “Facebook” ka kritikuar vendimin e qeverisë për shkarkimin e Ekipit Menaxhues, përgjegjës për hartimin e draft-statutit për Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe, dhe këtë e konsideroi në vazhdën e “vendimeve të ngutshme” të kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti.
Haziri vlerësoi se “dëmi ka ndodhur më 18 mars (marrëveshja për planit e zbatimit të marrëveshjes bazë për normalizimin e marrëdhënieve në mes të Kosovës dhe Serbisë, në Ohër të Maqedonisë së Veriut) në emër të refuzimit të së ‘kaluarës’”.
“Mos-zbatimi i marrëveshjes së vitit 2013 sipas parimeve të marrëveshjes së vitit 2015, bazuar në letrën e Frederica Mogerinit dhe vlerësimin e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Kosovës, solli mos-suksesin e takimit të 2 majit”, ka shkruar ai.
Postimi i plotë:
Zgjedhjet e dështuara në katër komunat veriore të Kosovës janë përcjellë me vendimin e dështuar për hapjen e Urës së Ibrit. Në mesin e vendimeve të ngutshme, Kurti vendosi edhe shpërbërjen e Ekipit Menaxhues për formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, për të vazhduar me dështimin e takimit të 2 majit, që solli një deshtim të madh për Kosovën. Dëmi ka ndodhur më 18 mars në emër të refuzimit të së ‘kaluares’.
Mos-zbatimi i marrëveshjes së vitit 2013 sipas parimeve të marrëveshjes së vitit 2015, bazuar në letrën e Frederica Mogerinit dhe vlerësimin e Gjykatës Kushtetuse të Republikes së Kosovës, solli mos-suksesin e takimit të 2 majit. Mos arritja e adaptimit të terminologjisë së Konventes ndërkombëtare në Deklaraten e përbashkët për të zhdukurit me dhunë dhe dalja me dy draft-statute nga Kosova, dëshmon se marrëveshja e 18 marsit eshtë ripaketim për të njëjtin qëllim.
Mos u gëzoni me qirinj dhe statuse pro-forma në rrjete sociale për tregjedinë e madhe të vrasjes makabre të fëmijëve në Beograd dhe asaj në fshatrat e Mlladenovcit. Solidariteti njerëzor me tragjeditë e tilla duhet të shpërfaqet gjithmonë, kudo që ndodhin ato. Këto janë pasojat e vendeve që dalin nga luftërat. Prodhojnë ‘heronj’. Sinqerisht, ngushëllime familjeve të viktimave në këto tragjedi!