Hekuran Kryeziu i ka nisur stërvitjet individuale të enjten, rreth gjashtë muaj pas lëndimit të rëndë në gju, njofton klubi i tij Zurich. Rikthimi i tij i hershëm nga lëndimi serioz do të jetë mbështetje për Kosovën në përpjekjet e saj për t’u kualifikuar në Euro 2020 në tri ndeshjet e mbetura kualifikuese në muajt e ardhshëm.
Mesfushori i Kombëtares së Kosovës dhe i klubit zviceran Zurich, Hekuran Kryeziu i këputi ligamentet e gjurit në një ndeshje me klubin në muajin prill dhe u detyrua t’iu nënshtrohet operimit.
Pas gjashtë muajve pa e shkelur fushën e gjelbër, kosovari tani është rikthyer për t’u rikuperuar plotësisht duke u stërvitur individualisht në qendrën stërvitore të Zurich.
Si pasojë e këtij lëndimi, që fillimisht u druajt se do ta linte atë deri në nëntë muaj jashtë fushës, 26-vjecari i mungoi skuadrës së vet Zurich në ndeshjet e fundit të sezonit të kaluar të Superligës së Zvicrës, si dhe në fillim të sezonit të ri 2019/20.
Për më tepër, ai ishte mungesë e madhe edhe në mesfushën e Kosovës, duke mos qenë në gjendje të luajë në pesë nga gjashtë ndeshjet kualifikuese të verdhekaltërve për Kampionatin Evropian 2020 deri tani.
Zurich ka publikuar pamje në rrjetet sociale nga stërvitja individuale e Kryeziut, duke njoftuar se kosovari e ka nisur rikuperimin në fushë.
Megjithatë, nëse gjithçka shkon mirë në rikuperimin e tij në stërvitje, atëherë Kryeziu do të mundë të jetë dispozicion të Bernard Challandes për ndeshjet e mbetura të Kosovës në Grupin A kualifikues.
Kosova do t’i zhvillojë edhe tri ndeshje kualifikuese – më 14 tetor kundër Malit të Zi në Prishtinë, më 14 nëntor kundër Republikës së Çekisë në Pragë dhe më 17 nëntor kundër Anglisë në Prishtinë – në përpjekje për ta siguruar pjesëmarrjen që do të ishte historike në Kampionatin Evropian të 2020-s.