Ka shumë debate që kanë të bëjnë me përdorimin e helmetave të çiklizmit. A na ofrojnë këto helmeta vërtet mbrojtje apo thjesht u dhurojnë çiklistëve ndjenjën e rrejshme të sigurisë – gjë e cila shpie në më shumë aksidente?
Pra, pyetja kryesore është – a na shpëtojnë vërtet jetën këto helmeta?
Argumentet kundër helmetave
Ata të cilët janë kundër që helmetat të bëhen të detyrueshme me ligj në shtete të ndryshme të botës besojnë se kjo është masë joefektive e sigurisë e cila i diskurajon njerëzit nga çiklizmi dhe e krijon imazhin se çiklizmi është aktivitet me rrezikshmëri të lartë.
Ata argumentojnë se çiklizmi është formë e shëndetshme dhe e lirë e transportit dhe se rreziqet me të cilat ballafaqohen çiklistët duhet të zvogëlohen duke bërë përmirësime në infrastrukturë, trajnime, etj.
Një tjetër argument kundër helmetave është se ato e kanë një efekt negativ. Hulumtimet tregojnë se vozitësit e veturave i tejkalojnë çiklistët mesatarisht 8.5 centimetra më afër kur ata janë duke mbajtur helmetë.
Gjithashtu, çiklistët që mbajnë helmetë janë më të rrezikuar nga aksidentet edhe për shkak të faktit se nuk dëgjojnë mirë kur i mbajnë ato.
Argumentet pro helmetave
Ka shumë dëshmi që e mbështesin idenë se mbajtja e helmetave është shumë e rëndësishme për sigurinë e çiklistëve.
Ekspertët thonë se mbajtja e helmetave është mënyra më efektive për t’i zvogëluar lëndimet e kokës dhe numrin e fataliteteve nga aksidentet me biçikleta.
Sidoqoftë, të gjithë ekspertët e parandalojnë se helmetat nuk i parandalojnë aksidentet e as nuk e garantojnë mbijetesën, por janë masë sekondare e sigurisë dhe mund t’i zvogëlojnë rreziqet e lëndimeve serioze në tru apo në kokë gjatë aksidenteve.
Madje, hulumtimet tregojnë se helmetat e ulin rrezikun e lëndimeve në kokë dhe në tru deri në 88%.
Shkencëtarët amerikanë po ashtu thonë se helmetat e zvogëlojnë rrezikun e lëndimeve traumatike në tru përgjysmë.
Një raport i ekspertëve shëndetësorë amerikanë po ashtu ka konstatuar se ata që mbajnë helmeta janë 44% më pak të prirë të vdesin nga aksidentet dhe 31% më pak të prirë t’i thyejnë eshtrat e fytyrës.