Helmimi i komisionerëve me votat serbe, Vuçiq e Kocijançiq shkëmbejnë letra

Prishtinë | 18 Tet 2019 | 20:39 | Nga Ekonomia Online

Zëdhënësja e shefes për politikë të jashtme e BE-së, Maja Kocijançiq i ka replikuar presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiq në Twitter.

Kjo replikë e Kocijançiq ka ardhur pas letrës publike në Twitter që Aleksandër Vuçiq i dërgoi asaj në rrjetin social Twitter.

Në letrën e Vuçiqit, flitej për helmimin e komisionerëve në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve në Kosovë që ndodhi nga zarfet me vota që erdhën nga Serbia.

Vuçiq i kërkoi Kocijançiq që të bëhet publike dhe të hetohet nëse në ato zarfe ka pasur helm që është futur nga Serbia.

“Jam absolutisht i sigurt që pas disa ditësh monitorimi të kujdesshëm të “helmimit” në Prishtinë, ju do të keni një konkluzion se çfarë ndodhi me të vërtetë. Së këndejmi, ju kërkoj juve që publikisht të sqaroni të gjithë audiencës evropiane nëse ka evidencë ose diçka të vërteton se serbët kanë helmuar votat me antraks ose ndonjë helm tjetër. Nëse të gjitha akuzimet dalin të pavërteta, na tregoni kush e filloi këtë gënjeshtër”, thuhej në letrën e Vuçiqit.



E në anën tjetër, Kocijançiq i ka thënë Vuçiqit se pret rezultatet e fundit të hetimit duke thënë se Misioni Vëzhgues i BE-së po monitoron nga afër çështjen.

“I nderuar president Vuçiq, faleminderit për letrën tuaj në Twitter. Bashkimi Evropian tani është duke pritur rezultatet e hetimeve. Ekipa jonë e vëzhguesve po monitoron situatën nga afër. Me respekt, Maja Kocijançiq”, thuhet në letrën e Kocijançiq.

Të ngjashme