Përfaqësuesja e Kosovës në hendboll e ka fituar ndeshjen e parë testuese ndaj Turqisë. Të dielën pasdite në Stamboll, Kosova fitoi me rezultatin 21:20 ndaj Turqisë, ka njoftuar Federata e Hendbollit të Kosovës. Goli i fitores është shënuar në minutën e fundit.
Një ndeshje tjetër testuese do të luhet të hënën (sot) në mes të Turqisë dhe Kosovës. Të dy përfaqësueses po përgatiten për ndeshjet e fazës së dytë kualifikuese për evropianin e vitit 2020. Kosovën e presin dy ndeshje shumë të vështira, në kuadër të grupit të parë, shkruan sot “Koha Ditore”.
Më 24 tetor Kosova luan në udhëtim ndaj Polonisë, ndërsa më 28 tetor e pret Gjermaninë në Prishtinë. Gjermania vlerësohet superfuqi e hendbollit botëror. Kosovës në këto dy ndeshje do t’i mungojnë lojtarë të rëndësishëm për shkak të lëndimeve.
Valon Dedaj, Flamur Gërbeshi, Vlerson Zherka, Endrit Abdullahi, Enis Kabashi e Bujar Ramosaj janë lojtarët në të cilët nuk mund të llogarisë përzgjedhësi Taip Ramadani.
Për shkak të aktiviteteve të përfaqësueses, ndeshje të Superligës së hendbollistëve nuk janë zhvilluar në fundjavë. Gara ka vazhduar në Superligën e hendbollisteve. Vushtrria të dielën ka fituar ndaj Kastriotit me shifrat 34:28 dhe është shkëputur në vendin e parë me 10 pikë.
Kryendeshja e javës së pestë është luajtur të shtunën në Pejë, ku Istogu fitoi ndaj Shqiponjës me shifrat 40:25. Shqiponja është kampione në fuqi, ndërsa i ka tetë pikë, sa i kanë edhe Istogu e Prishtina.