Gara për titull të Kosovës në hendboll ka gjasë të përfundojë të dielën. Nga ora 16:00 në palestrën e vogël të Pallatit të Rinisë në Prishtinë takohen Prishtina e Besa FamGas në ndeshjen e dytë të serisë finale të plejofit. Ndeshja e parë u luajt të enjten mbrëma në Pejë, ndërsa Besa fitoi bindshëm, me shifrat 37:23.
Besa ka vite që e dominon hendbollin kosovar dhe ishte dominuese edhe në ndeshjen e parë finale. Për ndeshjen e dytë i duhet fitorja apo barazimi që të shpallet kampione. Prishtina po përballet me mungesë të disa lojtarëve të lënduar dhe duhet të paraqitet shumë më fuqishëm se të enjten në Pejë, që të sigurojë ndeshjen e tretë, që do të zhvillohet në palestrën “Karagaçi”. Në kampionatin e rregullt Besa përfundoi e para, kurse Prishtina e dyta, shkruan sot Koha Ditore.
Besa ka fituar Kupën duke mposhtur pikërisht Prishtinën në finale, ndërsa ndaj kësaj skuadre ka bilanc prej tri fitoreve e një humbjeje në kampionat. Te femrat titullin e ka fituar Shqiponja e Gjakovës.