Hendbollistet e Kosovës kanë humbur edhe ndeshjen e tretë e të fundit në fazën paraeliminatore për Botërorin 2019. Kosova të dielën pësoi thellë 40:15 nga nikoqirja e turneut, Sllovakia, dhe mbylli fushatën pa pikë.
Elma Kameri me shtatë gola ka qenë shënuesja më e mirë te Kosova, ndërsa nga tri gola i shënuan Shkurta Mehmeti e Adriana Salihu, shkruan sot “Koha Ditore”. Në listën e shenuesve te Kosova u regjistrua vetëm edhe Fitore Aliu, që shënoi dy gola.
Te Sllovakia më efikasja ishte Annamaria Patrnciakova me gjashtë gola, ndërsa Maria Holesova i shënoi pesë.
Sllovakia krijoi epërsi prej dhjetë golave pas 30 minutave lojë (15:5), ndërsa këtë epërsi vetëm sa e thelloi dhe në fund shënoi fitore me 25 gola dallim, 40:15. Kosovës në këtë ndeshje i mungoi për shkak të lëndimit edhe lojtarja kryesore Leonora Demaj.
“Jemi paraqitur pa shumë lojtare dhe ky ishte maksimumi ynë sot. Kemi dhënë maksimumin, por nuk kemi mundur të bënim më shumë. Shpresoj që ndeshjet e tjera që do t’i luajmë të mos kemi shumë probleme me lëndime dhe mungesa”, ka thënë Kameri.