Kryetari i Komunës së Gjakovës, Ardian Gjini, ka thënë se s’është në dijeni se është hequr që ishte vendosur në një arë në Korenicë të Gjakovës për ta përkujtuar Pashkë Markaj, nënën që dogji veten pas kthimit dhe varrimit të eshtrave të bijve të saj të vrarë dhe të djegur nga forcat serbe, është hequr dje prej aty me një bager.
I pyetur nga Gazeta Express nëse kanë biseduar me pronarin e tokës për arsyet pse ka vendosur ta heq, Gjini vetëm ka thënë se nuk ka informacione as që është hequr.
“Nuk po di për nder, as ide nuk paskam”, ka thënë Gjini.
Se guri përkujtimor është hequr e konfirmuar nipi i saj, pulmologu Flamur Marku. Për arsyet pse pronari i tokës e ka marrë një vendim të tillë, Marku ka thënë se nuk i di, por ka shtuar se në kohën kur guri është vendosur, kjo është bërë me lejen e pronarit.
“E vërtetë qenka që e ka heq, por arsyen se di se në kohën kur është vendosë vetë e ka lejuar”, ka thënë Marku për Express.
Për largimin e këtij guri, fillimisht ka reaguar profesori universitar, Ag Apolloni. Ai ka kërkuar nga Qeveria dhe qytetarët që ta mbrojnë këtë simbol, duke e kthyer gurin aty ku ka qenë.
Sipas Apollonit, ka dyshime se pronari i tokës, Hasan Zenun Bala, e ka marrë këtë vendim për arsye fetare dhe politike.
“Ekzistojnë dyshime se heqja e këtij guri është bërë për arsye fetare (sepse pronari është frikësuar se aty mund të ngritet një kishë, pavarësisht se familja e Pashkës e ka siguruar që nuk do të ngritet asnjë kishë aty), dhe për arsye politike (se s’i paska pëlqy që kryeministri e paska shkelë arën e tij, kur ka bërë homazh te guri. Ai gur nuk është objekt fetar, as nuk është gurthemel kishe, as që ka të bëjë fare me politikë. Çdo kryeministër në të ardhmen duhet të bëjë homazh tek ai gur. Ai gur është simbol i një tragjedie kombëtare. Ai simbolizon vuajtjen e një nëne shqiptare dhe, njëkohësisht, vuajtjen e një populli, pjesë e të cilit është edhe Hasani që bëri një gjest fisnik kur e lejoi vendosjen e gurit në arën e tij, dhe një gjest të pahijshëm kur e hoqi. Hasan, ne shqiptarët (katolikë dhe muslimanë) ishim viktima, dhe lufta nuk u bë për arsye fetare. Ai gur është pjesë e kujtesës sonë kolektive kombëtare. Ktheje gurin në vend të vet!”, ka shkruar Apolloni.