Heqja e masave të BE-së ndaj Kosovës, FOL: Mundësi e re për zhvillim dhe integrim

Prishtinë | 19 Mar 2026 | 07:58 | Nga Drita Dërmaku

Zhvillim pozitiv për vendin po vlerësohet vendimi për heqjen e masave financiare të Bashkimit Evropian ndaj Kosovës.

Menaxherja e projektit në Lëvizjen FOL, Burbuqe Kastrati në një intervistë për Ekonomia Online thotë se ky vendim i hap rrugë rikthimit të bashkëpunimit të plotë me BE-në dhe përshpejtimit të procesit të integrimit evropian

Sipas saj, masat e caktuara nga viti 2023 kanë ndikuar në integrimin e reformës evropiane.

“Ne e vlerësojmë jashtëzakonisht shumë heqjen e masave të Bashkimit Evropian ndaj Kosovës, duke qenë se kjo shënon një hap pozitiv në raportin me rikthimin e plotë të bashkëpunimit institucional mes Bashkimit Evropian dhe Kosovës. Duke qenë se Kosova prej vitit, pra 2023 ka qenë në këto masa, të cilat faktikisht kanë qenë të vendosura në mënyrë të padrejtë ndaj Kosovës, duke ditur që këto masa pra kanë qenë një lloj presioni politik që Bashkimi Evropian ka vendosur ndaj Kosovës në raport me, pra ngjarjet e vitit 2023 në veri të vendit. Këto masa sigurisht që kanë ndikuar drejtpërsëdrejti në zhvillimin tonë në raport me integrimin dhe avancimin e reformës evropiane në vend”, tha ajo.

Kastrati, deklaron se Kosova humbi me miliona euro investime në sektorë të ndryshëm të vendit.

“Meqenëse po flasim për gati tre vite, të cilat Kosova i ka humbur pra me miliona euro investime qoftë domethënë në sektorë jetikë të vendit, në aspektin domethënë energjinë, infrastrukturën, mjedisin, reformën në administratë publike, e ashtu edhe reformën domethënë në sundimin e ligjit. Pra, këto instrumente financiare të cilat Bashkimi Evropian në kushte të tjera i ka ofruar Kosovës, këto tre vite me gjithë këto masa të cilat pra ekonomike, të cilat Kosova ishte nën to, sigurisht që kanë ndikuar negativisht në zhvillimin e vendit. Po njëkohësisht edhe në aspektin politik, duke qenë se pra janë reduktuar takimet e nivelit të lartë mes institucioneve të Bashkimit Evropian dhe Kosovës”, u shpreh ajo.

Ajo u shpreh se heqja e masave është hap i rëndësishëm në rikthimin e dinamikës së Kosovës në integrimin evropian.

“Ky është një hap jashtëzakonisht i rëndësishëm dhe pozitiv sepse pra kemi rikthimin e instrumenteve financiare të Bashkimit Evropian në raport me projektet zhvillimore të cilat pra prekin shumë fusha. Edhe njëkohësisht është një hap shumë i rëndësishëm në rikthimin e dinamikës së Kosovës në integrimin evropian. Meqenëse këto vitet e fundit kemi pasur pra një lloj çalimi të theksuar falë edhe këtyre masave, pra rikthimi në dinamikën e integrimeve të procesit pra të integrimit evropian për Kosovën është një lajm shumë pozitiv”, theksoi Kastrati.

Gjithashtu ajo thotë se Kosova ka dëshmuar përkushtim për integrim derisa theksoi se edhe qeveria duhet të ndërmerrë hapa konkret.

“Ajo çka është shumë e rëndësishme, tashmë Kosova ka dëshmuar pra përkushtimin e vet për integrimin evropian gjatë gjithë këtyre, gjatë gjithë këtyre viteve. E ky përkushtim shpresojmë që të bëhet edhe përmes pra reformave, pra hapave konkretë të qeverisë së Kosovës dhe institucioneve të tjera në raport me sundimin e ligjit, reformën në administratë publike, edhe të gjitha pra sektorët e tjerë që lidhen direkt me integrimin edhe agjendën tonë evropiane”, shtoi ai.

Bashkimi Evropian më 17 mars i ka hequr të gjitha masat ndëshkuese të vendosura ndaj Kosovës në qershor të vitit 2023, gjë që është bërë e ditur nga Komisioni Evropian.

Gjatë debatit që është zhvilluar për Raportin për Kosovën në Parlamentin Evropian, Jiri Plecity, përfaqësues i KE-së, konfirmoi heqjen e masave financiare, raporton REL.

“Mund të konfirmoj se Komisioni Evropian e ka liruar të gjithë ndihmën financiare që më parë ishte nën masa dhe gjithashtu po planifikojmë të riangazhohemi plotësisht me homologët tanë në Kosovë në mënyrë që ta rikthejmë Kosovën në rrugën e duhur në agjendën e saj të BE-së”, u shpreh ajo.

Të ngjashme