Franca, njëra nga shtetet kyçe në Bashkimin Evropian heziton në heqjen e vizave për kosovarët. Ky shtet kryeson me presidencën e BE-së në gjashtë muajt e ardhshëm dhe mundësia që liberalizimin e vizave për Kosovën ta vendosë në agjendë është e vogël. Kështu të paktën shprehen njohësi i çështjeve të Ballkanit, Florian Bieber dhe eurodeputetja, Viola von Cramon.
Bieber tha se Franca është vend kyç në bllokimin e liberalizimit të vizave dhe zgjedhjet presidenciale atje e shtojnë dyshimin. Eurodeputetja Viola von Cramon thotë se francezët kundërshtojnë heqjen e regjimit të vizave për kosovarët dhe për këtë shkak s’ka marrëveshje mes 27 vendeve anëtare që kjo çështje të vendoset për votim në Këshillin e BE-së.
Gazeta Express ka provuar të marrë një qëndrim nga Ministria e Jashtme e Francës dhe nga përfaqësuesi i përhershëm i Francës në Bruksel lidhur me këtë çështje por të njëjtit s’janë përgjigjur.
Sipas të dhënave nga ambasada gjermane në Prishtinë mbi 56 mijë kosovarë kanë aplikuar për viza pune vetëm gjatë muajit dhjetor nga 460 termine sa janë në dispozicion. Kjo shifër e lartë s’përfshinë edhe aplikimet për llojet e tjera të vizave për të cilat qytetarët e Kosovës duhet të aplikojnë tash e sa vjet nëpër ambasada, kjo për faktin se Kosova është i vetmi vend në rajon ndaj të cilës aplikohet regjimi i vizave nga shtetet e BE-së.
Franca si një nga vendet kyçe në BE, nga 1 janar kryeson presidencën e Këshillit të BE-së, institucion ky ku edhe votohet ndër të tjera heqja e vizave për zonën Shengen për shtetet jashtë BE-së.
Profesori universitar, Florian Biber është skeptik nëse Franca do ta çojë përpara në Këshill heqjen e vizave për kosovarët marrë parasysh zgjedhjet presidenciale që do të mbahen atje gjatë prillit atje.
“Do të isha skeptik, pasi Franca është vend kyç në bllokimin e e liberalizimit dhe zgjedhjet e ardhshme presidenciale nuk janë mjedis pozitiv. Veçanërisht në kohën kur sfiduesit kryesorë janë nga spektri i së djathtës ekstreme ose konservatorët. Prandaj, do të prisja ndonjë mundësi pas zgjedhjeve. Do të varet nga bashkëpunimi francezo-gjerman për reformimin e BE-së dhe gjetjen e një agjende të përbashkët dhe për atë se si Gjermania mund ta ulë Francën në tavolinë për ta vlerësuar këtë si çështje të rëndësishme si pjesë e zgjerimit”, tha Bieber.
Në anën tjetër, deputetja e Parlamentit Evropian, Viola Von Cramon, shpreson se Franca ta kuptojë rëndësinë e liberalizimit të vizave për Kosovën.
“Ne të gjithë shpresojmë që Franca do ta mbajë Ballkanin Perëndimor lart në agjendën e vet gjatë presidencës së ardhshme të BE-së dhe do ta ofrojë liberalizimin e vizave për Kosovën, të vonuar gjatë. Edhe Parlamenti Evropian, edhe Komisioni Evropian vazhdimisht kanë bërë thirrje për liberalizimin e vizave për Kosovën, e cila absolutisht e ka merituar atë duke i plotësuar të gjitha kërkesat. Është kohë e fundit për ne në BE që ta bëjmë këtë dhe unë shpresoj fuqishëm se Franca dhe vendet tjera anëtare do ta kuptojnë rëndësinë e kësaj”, tha eurodeputetja von Cramon.
Mosvendosja e çështjes së liberalizimit të vizave për Kosovën në agjendën e Këshillit të BE-së ka të bëjë me mospajtimin e të gjitha shteteve anëtare që të jepet drita e gjelbër për heqjen e vizave. Dy nga shtetet skeptike janë Franca e Holanda.
Eksperti i Ballkanit, Florian Bieber, u shpreh se është e qartë që s’ka përkrahje në mesin e disa shteteve anëtare të BE-së lidhur me këtë çështje.
Ndërkaq, Raportuesja për Kosovën në Parlamentin Evropian, Viola von Cramon thekson se janë pikërisht francezët që kundërshtojnë futjen në votim të liberalizimit të vizave për Kosovën.
“Zakonisht, për gjëra arrihet pajtim paraprakisht në mesin e 27 vendeve të BE-së para se të vendosen për votim në Këshill. Prandaj, pasi nuk ka marrëveshje për këtë për shkak të kundërshtimit të francezëve dhe të disa vendeve tjera anëtare të BE-së, thjesht nuk është vendosur ende në votim”, tha ajo.
Por eurodeputetja gjermane shprehet e bindur se qytetarët e Kosovës kanë të drejtë të lëvizin lirshëm nëpër Evropë.
“Siç e kam përsëritur shumë herë, Kosova absolutisht e meriton liberalizimin e vizave dhe qytetarët e saj i kanë të gjitha të drejtat për të lëvizur lirshëm nëpër Evropë. Shpresoj që 2022-shi do të jetë viti kur kjo çështje të zgjidhet dhe ne mund të lëvizim përpara në raportet tona dypalëshe”, tha von Cramon.
Premtimet e BE-së për liberalizim të vizave profesori Biber e ndërlidh me qeverinë e re gjermane për të cilën pret që të bëjë përpjekje më të forta për liberalizim.
“Do të jetë interesante të shihet se si qeveria e re gjermane do të merret me çështjen. Liberalizimi i vizave ishte pjesë e marrëveshjes së koalicionit dhe Partia e Gjelbër ka qenë përkrahëse e liberalizimit të vizave. Prandaj, unë do të prisja që Gjermania do të bëjë përpjekje më të forta për liberalizim, por natyrisht, kjo varet nga shtetet tjera dhe nga masa në të cilën BE-ja e njeh rajonin si prioritet”, tha Bieber.
Dy institucionet e BE-së, Parlamenti Evropian dhe Komisioni Evropian mbështesin liberalizimin e vizave për Kosovën.
Por kjo çështje s’gjen pajtueshmëri të plotë të 27 vendeve anëtare të BE-së në Këshillin e Bashkimit Evropian dhe për pasojë regjimi i vizave mbetet aktiv për kosovarët.