Danny Ings është në “zjarr” dhe ka ngritur lart ekipin e tij të vendlindjes, nga pozita e fundit në tabelë ku qëndronte kohë më parë.
Southamptoni ka fituar gjashtë nga nëntë ndeshjet e fundit të Premier Leagues dhe në këtë periudhë vetëm Liverpooli ka fituar më shumë pikë, pasi skuadra e trajnerit Ralph Hasenhuttl është transformuar plotësisht. Ings ka shënuar mbi 50 për qind të golave dhe padyshim se është më i merituari për fitoret ndaj Tottenhamit e Leicesterit, ku shënoi golat vendimtarë, shkruan sot Koha Ditore.
Southamptoni, të shtunën (sot), luan kundër Wolverhamptonit dhe po shpreson të regjistrojë fitoren e gjashtë në shtatë ndeshjet e fundit në të gjitha garat. Paraqitjet e mira të ekipit po lidhen me sulmuesin Ings që është në formën jetësore. Aktualisht, Ings është golashënuesi i dytë më i mirë në Premier League me 14 gola në 22 ndeshje.
Në total, Ings ka 16 gola në 24 ndeshje në të gjitha garat. Ings, 27-vjeçar, ka shpërthyer në momentin më të duhur, ndonëse një gjë e tillë është pritur prej tij më herët.
Ai në vitin 2015 iu bashkua Liverpoolit pas paraqitjeve të mira te Burnley dhe Bournemouthi. Mirëpo, nuk pati shumë hapësirë te Liverpooli dhe para fillimit të edicionit 2018/19 u huazua te Southamptoni.