Në kapërcyellin pesëshekullor të robërisë otomane, shqiptarët e pësuan njërën prej zezonave më të mëdha që ka njohur bota, atë që Ismail Kadare e quan “dergjja osmane”. Prandaj, në këtë kontekst fare lehtë mund të kuptohet se pse letërsia shqipe, sidomos ajo e Rilindjes, figurën e Skënderbeut e shndërroi shpeshherë në një mit letrar.
Kombi shqiptar është komb kulturor i mbrujtur nga Rilindja Kombëtare Shqiptare (1836-1912). Këtij mendimi i dha vulë qysh më 1910 themeluesi i mendimit kritik shqiptar, Faik Konica, tek kryevepra e tij “Albania”, duke i shuar kështu të gjitha dilemat e deriatëhershme të komb-krijimit dhe shtet-krijimit shqiptar, kurse atributet dhe meritat për këtë ai ia dha lëvizjes letrare të asaj periudhe, respektivisht shkrimtarëve – pra letërsisë dhe autorëve të Rilindjes, shkruan sot Arben Veselaj në Koha Ditore.
Por cila qe kryeshenja e kësaj letërsie së cilës i referohen këto atribute?
Rilindja Kombëtare Shqiptare në thelb qe lëvizje kulturore – iluministe dhe emancipuese për një popull të mbetur nën margjinat e pushtimit pesëshekullor otoman, dhe kjo lëvizje u mbështet kryesisht tek letërsia, e cila për kryetemë e pati heroikën skënderbegiane.
Letërsia e Rilindjes Kombëtare Shqiptare gjatë misionit të saj gati njëshekullor brumosi idetë politike dhe propagandistike sipas të cilave zgjedha pushtuese otomane për pesë shekuj i shkëputi dhunshëm shqiptarët nga Evropa, duke ua shkatërruar trashëgiminë kulturore, duke shkaktuar tragjedi e shpërngulje të mëdha, siç ndodhi me kolonitë arbërore në Sicili e Kalabri.