Me rastin e 30-vjetorit të rënies së dëshmorëve të kombit Afrim Zhitia dhe Fahri Fazliu, është mbajtur akademi përkujtimore, raporton Ekonomia Online.
Ish-kryetari i OVL- UÇK-së, Xhavit Jashari, ka thënë se vetëm me bashkimin kombëtar dërgohet amaneti i dëshmorëve në vend.
“Sot 30 vite nga rënia e tyre përkujtojmë Afrim Zhitinë dhe Fahri Fazliun, ata që i hapen rrugë lirisë. I përkujtojmë ata që me krismat e pushkës na mësuan se liria nuk vjen nga qielli. 30 vjet më parë kur krismat e tyre i flakën qiejt, Kosovën e kishin kapluar një errësirë dhe bënë që me veprat e tyre treguan se populli i Kosovës ishte gjallë. Vetëm bashkimi kombëtar e plotëson amanetin e gjithë dëshmorëve. Në këtë ditë e kujtojmë pushkën e parë në Prishtinë”, ka thënë ai.
Ish-ambasadori Sabri Kiçmari, ka thënë se është me fat që ishte i afërt me Afrim Zhitinë dhe Fahri Fazliun.
“Më lejoni që sot në këtë përvjetor t’i shmangem klishesë së politikës sonë të përditshme. Si një nga shokët e tij të shumtë më përcjellë një hamendsim i madh edhe sot. Por të njëjtën kohë e ndjej vetën më fat se e di se cili ka qenë amaneti i tyre i di shumë nga të fshehtat e tyre, armiqësitë dhe miqësitë e tyre dhe jetoj edhe sot e kësaj dite me këtë fshehtësi. Në tubimet me minatorë e në protesta të shumta, Afrimi do të shkëlqente me fjalimet e tij”, ka thënë ai, raporton EO.
Veprimtari Mehmet Hajrizi ka rrëfyer për kohën e rezistencës së tyre.
“Djemtë e Llapit vinin nga familjet e shquara atdhetare. Vrasja e tyre ishte e rëndës për gjithë kombin shqiptarë. Pas vrasjes së tyre, dikush mbi varr kishte lënë një letër. Bie një, ngrihen 1 mijë të tjerë. Ky ishte amaneti që dikush e kishte lënë”, ka thënë Hajrizi.
Për fund, mbesa e Afrim Zhitisë recitoi një poezi për dy dëshmorët e kombit, Afrim Zhitia dhe Fahri Fazliu.
Në emër të familjes Fazliu, foli nipi i heroit Fahri Fazliu, i cili mban emrin e xhaxhait të tij. Ai ka falënderuar të pranishmit.
Falënderim pati edhe mbesa e familjes Zhitia, Jeta Zhitia.