Skuadra e Bundesligës, Hertha Berlin, u ka bërë një dhuratë tifozëve të rinj në prag të edicionit 2018/19, që nis më 24 gusht. Klubi gjerman ka njoftuar se hyrja për fëmijët deri në moshën 14-vjeçare do të jetë falas në “Olympiastadion” për ndeshjet e Bundesligës.
Fushata “Kids4Free” (Fëmijët falas) është e para e këtij lloji në Gjermani dhe do t’iu mundësojë tifozëve të marrin deri në tetë bileta gjatë sezonit për 15 prej 17 ndeshjeve që Hertha i luan në shtëpi, shkruan “Bundesliga.com”, transmeton “Koha Ditore”. Për duelet kundër Bayern Muenchenit dhe Borussia Dortmundit nuk ka bileta falas, pasi edhe ashtu stadiumi është i vogël për të zënë të gjithë të interesuarit.
Sipas drejtuesve të Herthas, fëmijët janë e ardhmja e klubit, si në fushë ashtu edhe jashtë fushës. Në klub insistojnë që ndihen krenarë me këtë veprim, pasi do t’iu lejojnë fëmijëve që t’i shohin falas idhujt e tyre në edicionin e ri si Marvin Plattenhardt, Salomon Kalou dhe Vedad Ibisheviq.
“Ne duam t’i ndihmojmë fëmijët që të shndërrohen në entuziast të klubit tonë. Këta do të jenë e ardhmja e klubit tonë, qoftë në fushë apo në tribuna. Me këtë veprim besoj se i kemi gëzuar të gjithë fëmijët deri në moshën 14-vjeçare”, ka thënë drejtori i Hertha Berlinit, Ingo Schiller. “Secili fëmijë ka të drejtën e tij për tetë bileta gjatë edicionit të ri. Biletat falas do të jenë për 15 ndeshjet në shtëpi, por jo edhe për duelet me Bayernin e Borussian”.
Sipas zyrtarëve të klubit, numri i fëmijëve që do të përfitojnë nga ky veprim do të jetë i madh, pasi qysh tash kanë filluar të aplikojnë nëpërmjet uebfaqes së Herthas. Në klub nuk kanë specifikuar numrin e tyre, por besojnë se të paktën do të jetë dyfish më i madh sesa edicionin e shkuar…