Në mesnatë mbaroi fushata dhe nisi heshtja zgjedhore për rrethin e parë të zgjedhjeve presidenciale të cilat do të mbahen të mërkurën më 24 prill.
Komisioni Shtetëror Zgjedhor ka shpërndarë materialin zgjedhor në komisionet komunale zgjedhore.
Sipas procedurës, të martën voton diaspora, të burgosurit dhe personat e palëvizshëm. Gjithsej 1.814.317 qytetarë të vendit kanë të drejtë vote për zgjedhjet presidenciale të së mërkurës, në të cilat do të duhet të zgjedhin mes 7 kandidatëve për shef të shtetit.
Për ekspertët, fushata presidenciale ishte intensive, polarizuese por jo cilësore. Sipas komunikologut Petrit Saraçini, kandidatët u munduan nëpërmjet mediave, rrjeteve sociale, tubimeve dhe pankartave që të fitojnë besimin e qytetarëve, por në masë të madhe ata ofruan premtime jashtë kompetencave të tyre.
“Kishim një fushatë të polarizuar, kishim edhe mjaft dezinformata dhe sulme të ndërsjella të kundërshtarëve politik. Temat kryesore të cilat dominonin dhe që kryesisht kanë të bëjnë me kompetencat e kryetarëve ishin e eurointegrimeve, mirëpo flitej edhe për ekonomikë, sundimin e të drejtës dhe korrupsionit. Në përgjithësi fushata ishte polarizuese dhe mund të ndikojë që qytetarët të mos e ndjekin atë dhe në këtë mënyrë faktikisht e kufizuan të drejtën e qytetarëve që të bëjnë një zgjedhje të informuar gjatë zgjedhjeve”, tha Petrit Saraçini, komunikolog, Instituti “IMA”.
Për të qenë i suksesshëm procesi zgjedhor, duhet të përmbushet kushti i censusit, gjegjësisht të dalin për votim mbi 40% e numrit të përgjithshëm të votuesve. Për të fituar një kandidat në rrethin e parë, duhet që të marrë 50% plus një votë, nga numri i përgjithshëm i votave.
Në të kundërtën, dy kandidatët me më shumë vota garojnë në rrethin e dytë, i cili do të mbahet më 8 maj bashkë me zgjedhjet parlamentare. Zgjedhjet e dyfishta, sipas KSHZ-së, buxhetit të shtetit do t’i kushtojnë rreth 17 milionë euro./ Alsat.mk