Në kuadër të hetimeve kundër elementeve të organizatës terroriste FETO, të infiltruar brenda Forcave të Armatosura Turke, Prokuroria lëshoi urdhër-arrest për gjithsej 40 të dyshuar, raporton Anadolu Agency (AA).
Zyra e prokurorit në Stamboll urdhëroi arrestimin e 40 personave të akuzuar për lidhje me organizatën terroriste FETO dhe kontaktet e drejtpërdrejta me udhëheqësit e grupit terrorist.
Ky është një hetim mbi elementet terroriste të FETO-s të infiltruar brenda Forcave të Armatosura Turke. Në listën për t’u arrestuar janë disa oficerë aktivë të ushtrisë turke si dhe disa të cilët ishin pezulluar më parë.
Duke vepruar sipas urdhrave të Prokurorisë, policia turke nisi operacionet për arrestimin e të dyshuarve në 15 qytete në të gjithë Turqinë.
Organizata terroriste FETO është përgjegjëse për përpjekjen e përgjakshme të grushtit të shtetit në Turqi në natën e 15 korrikut 2016.
FETO është organizatë terroriste e udhëhequr nga Fetullah Gülen, me banim në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ekstradimin e të cilit Turqia e ka kërkuar zyrtarisht nga SHBA-të.
Anëtarët e kësaj organizate terroriste janë avancuar në shërbim në institucionet shtetërore duke rregulluar provimet për vite me radhë. Më pas, në dhjetor 2013, anëtarët e FETO-s në gjyqësorin e Turqisë u përpoqën të ndjekin penalisht një numër të zyrtarëve të lartë përmes procesit të montuar për korrupsion të dyshuar.
Disa vjet më vonë, ndodhi përpjekja e përgjakshme nga terroristët e FETO-s, kur më 15 korrik oficerët e ushtrisë turke besnike ndaj organizatës terroriste nisën grusht shtetin.
Hetimet ndaj organizatës terroriste FETO kanë treguar se ky është një rrjet global që nuk përbën kërcënim vetëm për Turqinë, por për çdo vend tjetër në të cilin është aktiv dhe zyrtarët turq e kanë paralajmëruar në mënyrë të përsëritur. Gjatë përpjekjes për grusht shteti në Turqi, u martirizuan 251 persona dhe rreth 2.200 të tjerë u plagosën.